“Roza e fatit” del në ankand për $35 milionë

Quhet “Roza e fatit” dhe është një xhevahir jashtëzakonisht i çmuar e i rrallë, i cili pritet të dalë në ankand në Gjenevë gjatë muajit nëntor me një çmim deri në 35 milionë dollarë.

Guri i çmuar me ngjyra të gjalla është diamanti më i madh rozë në formë dardhe i cilësisë së parë, që është ofruar ndonjëherë për shitje në ndonjë ankand.

Diamanti 18.18 karatësh, i cili del për shitje për herë të parë më 8 nëntor, vlerësohet me çmim fillestar 25 milionë dollarë. Guri ka një formë pike loti, vendosur në një unazë dhe mbërthyer nga dy diamante të bardha në të dyja anët.

Shtëpia e stolive dhe ankandeve Christie theksoi se numri 18.18 konsiderohet me shumë fat në Azi, ku nënkupton “prosperitet”. Besëtytnitë thonë se unaza “Roza e fatit” mund t’i ndjellë fat zotëruesit të saj.

Për këtë pritet që ky gur i çmuar “të grumbullojë interes nga koleksionistët në të gjithë globin”.

“Roza e fatit” është diamanti më i madh rozë që ofrohet aktualisht për shitje në një treg që ka pësuar luhatje të mëdha së fundmi.

Diamantet rozë janë shumë të rrallë, dhe ato zakonisht shoqërohen me besëtytni të shumta. Megjithatë ndodh edhe që një xhevahir i tillë të mos gjejë blerës.

Vitin e shkuar diamanti gjigand “Raj Pink” prej 37.3 karatësh nuk arriti të gjejë një blerës pavarësisht se ishte vlerësuar vetëm 30 milionë dollarë.

Pesë vite më parë diamanti legjendar “Winston i roztë” prej 18,96 karatësh u shit mbi 50 milionë çka mbetet çmimi më i lartë për karat i paguar ndonjëherë për një gur të llojit të tij.