
Puna para kësaj ore, e dëmshme për shëndetin
Një studim i fundit nga profesori Paul Kelley, kërkues i asociuar i Universitetit të Oksfordit, tregon se puna para orës 10:00 të mëngjesit, është e dëmshme për shëndetin.
Sipas tij, shkollat dhe shumë kompani duhet të ndryshojnë orarin e fillimit të punës, për të respektuar dhe për të punuar sipas ritmeve biologjike të studentëve dhe të punonjësve.
Zgjimi i herët është një çështje e privimit të gjumit, ku jemi të detyruar të ngrihemi sipas një alarmi të caktuar dhe jo natyrshëm.
Gjumi është një nga faktorët kyç për një shëndet të mirë dhe humbja e këtyre orëve rrjedhimisht ka pasoja.
Në studimin e tij, profesori konstatoi që për fëmijët rreth 10 vjeç, ora biologjike ishte rreth 6:30 të mëngjesit, për adoleshentët rreth 16 vjeç, ora biologjike është rreth 8:00 të mëngjesit, ndërkohë për 18-vjeçarët, të cilët mund t’i mendoni si gjumashë dhe dembelë, në të vërtetë ora e zgjimit biologjik është rreth 9:00 të mëngjesit.
“Është e lehtë të kuptosh se si orari i fillimit të shkollës funksionon për fëmijët rreth 10 vjeç, por jo për adoleshentët 16 dhe 18 vjeç. Për adoleshentët apo të rriturit do të kishte më shumë kuptim për ta nisur ditën e shkollës në 10:00 ose mbase edhe më vonë.”
Kelley mendon se oraret e sinkronizuara do të sillnin më shumë produktivitet por edhe humor të mirë tek njerëzit.
Gjithashtu, duke iu referuar pasojave te shëndeti do të kishim më pak njerëz të sëmurë dhe më shumë punonjës të lumtur dhe produktivë.