AlbanianEnglish

Pse Aleksandr Dugin konsiderohet “truri” i Vladimir Putin

Vdekja e gazetares dhe komentatores pro-Kremlinit, Daria Dugina, pasi i vendosën një bombë në makinë, nxiti spekulimet se objektivi i synuar i sulmit mund të ketë qenë babai i saj.

Aleksandr Dugin është një filozof dhe shkrimtar i shquar ultranacinalist që mbron idenë e një perandorie të madhe ruse, si dhe mbështetës i zjarrtë i luftës së vendit në Ukrainë.

Sipas disa opinionistëve, 60-vjeçari ka pasur një ndikim të madh tek Vladimir Putin, ndonëse ai nuk ka lidhje zyrtare me Kremlinin.

Shkrimet e tij gjithashtu parashikojnë në mënyrë të frikshme marrëdhëniet e trazuara të Rusisë me Perëndimin: një libër i vitit 1997 parashtronte një plan ‘lojë’ ku Moska do të ‘mbillte’ ndarje, ndërsa në të njëjtën kohë do joshte Evropën në rritjen e varësisë ekonomike nga fqinji i saj lindor.

‘Profeti fashist’ si ‘truri i Putinit’

Dugin nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me politikën e jashtme ruse. Por referencat e shumta për të në shtypin ndërkombëtar që i referohen atij si “truri i Putinit” duket se janë të bazuara. Për disa, ndikimi i figurës së ekstremit të djathtë tek lideri rus ka qenë monumental dhe kyç për të kuptuar pikëpamjen e Putin për botën dhe vendin e Rusisë në të.

“Nevojitet një kuptim më i gjerë i ideve vdekjeprurëse të Dugin. Rusia ka përdorur librin e tij të ‘lojërave’ për 20 vitet e fundit dhe na ka sjellë këtu, në prag të një lufte tjetër botërore,” ka shkruar në një artikull kolumnisti i Washington Post, David Von Drehle. Ndërsa në një tjetër artikull të publikuar në maj, ai e përshkruante Dugin  si “një profet fashist të perandorisë ruse”.

Von Drehlle thotë se analiza e Dugin mund të shihet drejtpërdrejt në fjalimin e gjatë dhe të rrëmujshëm të Putin në prag të pushtimit të Ukrainës, pasi ai njohu zyrtarisht pavarësinë e dy rajoneve të kontrolluara nga rebelët në lindje.

Kremlini shpesh i bën jehonë retorikës nga shkrimet dhe paraqitjet e Dugin në televizionin shtetëror rus. Ai promovoi termin “Novorossiya”, ose “Rusia e Re”, që Moska e përdori për të justifikuar aneksimin e Krimesë dhe mbështetjen e rebelëve separatistë në Ukrainën lindore në vitin 2014. Në maj të këtij viti, duke shkruar për Tsargrad, një gazetë pro-Kremlinit ku dikur ishte kryeredaktor, Dugin bëri thirrje që Ukraina të “bëhej një pjesë integrale, organike” e një “Rusie të re, të përjetshme, të vërtetë dhe të thellë”.

Sipas Dugin, Rusia përshkruhet si një vend i devotshmërisë, vlerave tradicionale dhe udhëheqjes autoritare; Vlerat liberale perëndimore janë përbuzur.

“Një produkt i rënies sovjetike të periudhës së vonë, Dugin i përket linjës së gjatë dhe të mjerë të teoricienëve politikë që shpikin një të kaluar të fortë dhe të lavdishme – të mbushur me misticizëm dhe të bindur ndaj autoritetit – për të shpjeguar një të tashme të dështuar,” thotë David Von i Washington Post.

Pas aneksimit të Krimesë, historiania franceze Marlene Laruelle e përshkroi “Novorossiya” – gjuhën propagandiste të promovuar nga Dugin dhe gjithnjë e më shumë nga vetë Putini-si ” nacionalizëm ekstrem rus”.

Në librin e tij të vitit 1997, “Themelet e gjeopolitikës: e ardhmja gjeopolitike e Rusisë”, Dugin ishte kritikues i ashpër ndaj ndikimit të SHBA-së në Euroazi. Ai bëri thirrje që Rusia të rindërtojë autoritetin e saj në rajon dhe mbrojti ndarjen e territorit të kombeve të tjera.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Dugin në vitin 2015 me akuzat se ishte “përgjegjës ose bashkëpunëtor në veprime ose politika që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose sovranitetin ose integritetin territorial të Ukrainës”.

“Dugin ishte një udhëheqës i Unionit të Rinisë Euroaziatike, i cili rekrutonte në mënyrë aktive individë me përvojë ushtarake dhe luftarake për të luftuar në emër të Republikës Popullore të vetëshpallur të Donetskut dhe ka deklaruar se ka një prani të fshehtë në Ukrainë”, u deklarua nga SHBA-të në mars të këtij viti.

“Ukrainasit duhet të kuptojnë se ne po i ftojmë ata të krijojnë këtë fuqi të re, të madhe (ruse). Si dhe bjellorusët, kazakët, armenët, por edhe azerbajxhanasit dhe gjeorgjianët, dhe të gjithë ata që jo vetëm ishin dhe janë me ne, por edhe do të jenë. “, shkroi Dugin në artikullin e tij për Tsargrad në muajin maj.

Ndikimi shkatërrues në Perëndim

Dugin rekomandon pushtimin e Gjeorgjisë, aneksimin e Krimesë dhe dy dekada para zgjedhjes së Donald Trump dhe Brexit për të nxitur përçarje midis britanisë dhe pjesës tjetër të Evropës, si dhe brenda Shteteve të Bashkuara. Dugin e përshkroi ardhjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë si “një fitore për Rusinë”, duke i thënë CNN në vitin 2017 se Putini i kishte dhënë një “frymëzim dhe një lloj shembulli” presidentit të ri amerikan. Të dy udhëheqësit mund të krijonin një rend të ri botëror, besonte ai.

“Fjalimi i Trump në inaugurim, ishte sikur ta kisha shkruar vetë”, tha ai me krenari.

Sipas disa raporteve të mediave amerikane, ka lidhje midis Aleksandr Dugin dhe anëtarëve të lëvizjes alt-djathtas dhe supremaciste të bardhë. Nacionalisti rus thuhet se ishte ftuar në konferencën e një instituti amerikan të ekstremit të djathtë në Hungari në vitin 2014, megjithëse sanksionet e penguan atë të merrte pjesë. Administrata aktuale amerikane argumenton se Dugin vazhdon të luajë një rol keqdashës në çështjet perëndimore.

Një ditë para sulmit që i mori jetën vajzës së tij, Aleksandr Dugin postoi një mesazh në Telegram duke bërë thirrje që lufta e Rusisë në Ukrainë të rritet, duke përmendur shtrirjen e rezistencës ukrainase të mbështetur nga Perëndimi.

Statusi i Dugin:

“Sulmet e shtuara ndaj Krimesë, përpjekjet për të bombarduar Zaporizhzhinë, deklaratat e një kundërsulmi ndaj Khersonit, refuzimi i ngurtë i Zelenskyyt për kompromis, këmbëngulja e Perëndimit për të ndërprerë të gjitha lidhjet me Rusinë janë të gjitha shenja që pala tjetër ka vendosur të ngrihet në këmbë. Ato mund të kuptohen: Rusia në fakt (dhe kjo nuk është propagandë) e ka sfiduar Perëndimin si qytetërim. Kështu që edhe ne do të duhet të shkojmë deri në fund.”

*Tibo News

You don't have permission to register