Protestat masive në Francë mbyllin biznese e shkolla

Francezët janë të vendosur për të çuar deri në fund kërkesën e tyre për anulimin e projektligjit të presidentit Emanuel Marcon për rritjen e moshës së pensioneve me dy vite.

Përveç protestave të dhunshme ata bllokuan shumë rrugë dhe stacione metrosh, gjithashtu krijuan trazira në qendrat e qyteteve. Përplasjet mes të dyja palëve nuk munguan as në qytete të tjera franceze, aty ku protestuesit e dhunshëm shkatërruan shumë zona.

Për të marrë situatën nën kontroll qeveria organizoi grupime policësh të cilët u pajisën me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Kjo situatë solli probleme tek dyqanet dhe bizneset përreth qendrave të qytetit të cilat ranë pre e vjedhjeve dhe shkatërrimeve. Situata e tensionuar solli mbylljen e kopshteve dhe shkollave për të anashkaluar incidentet dhe problemet tek të miturit e fëmijët.

Edhe pse kanë kaluar disa faza të protestave të dhunshme, francezët nuk kanë ndërmend të dorëzohen, pasi kanë bërë thirrje për grumbullime së shpejti.