Protesta e Opozitës, 4 të arrestuar nga incidentet e ndodhura

O Sot o Kurrë, kjo ishte motoja e protestës së Opozitës të zhvilluar ditën e djeshme. Protesta u mbajt në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.

Nuk pati incidente të rënda në protestën që zgjati për rreth dy orë. Ndonëse pati episode me përplasje të protestuesve me forcat e policë. Kjo pasi protestuesit hodhën fishekzjarre dhe molotovë ndaj uniformave blu.

Numri i pjesëmarrësve në dukje ishte i lartë. Risia në këtë protestë ishte Sali Berisha, i cili për shkak se ndodhet në Arrest Shtëpia, iu drejtua qytetarëve me një mesazh përmes një monitori, ku hodhi një lumë akuzash ndaj kryeministrit dhe qeverisë Rama. Sipas Berishës, protesta që u mbajt ditën e djeshme është rikthim i opozitës që ka ngjallur besim tek qytetarët shqiptarë.

Ndërkaq, policia ka publikuar njoftimin mbi situatën e djeshme dhe persona të ndaluar për shkak të incidenteve të ndodhura në protestë:

Njoftimi i plotë: 

DVP Tiranë

Ushtruan veprime të dhunshme gjatë protestës së ditës së djeshme, duke hedhur lëndë piroteknike (kapsolla, flakadanë, molotov), në drejtim të punonjësve të Policisë dhe të një insitucioni shtetëror, arrestohen në flagrancë 4 shtetas dhe procedohen penalisht në gjendje të lirë 6 të tjerë.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me aktet e dhunës, gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, më datë 20.02.2024, bazuar në provat e grumbulluara, arrestuan në flagrancë shtetasit:

– K. T., 21 vjeç, A. M., 18 vjeç, B. K., 37 vjeç, dhe I. S., 33 vjeç.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit:

– A. I., 20 vjeç, R. Sh., 20 vjeç, M. M., 20 vjeç, M. S., 19 vjeç, G. P., 22 vjeç, dhe D. Th., 21 vjeç.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

– 21 flakadanë të plasur;
– 1 bidon plastik 0.5 L, e mbushur me lëndë djegëse të dyshuar benzinë, me kapsollë të paplasur;
– 37 bidona plastikë uji, 0.5 L;
– 6 bidona plastikë të djegur, me aromë lënde djegëse benzinë;
– 3 kapsolla.

Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 110 kapsolla, që iu gjetën këtyre shtetasve, gjatë kontrolleve fizike.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protesës së ditës së djeshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë pra Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.