
Problemet e shtetit më të madh dhe fuqishëm të Afrikës, Nigeria
Nigeria është shteti me popullsinë më të madhe në Afrikë dhe fuqia më e lartë ekonomike e kontinentit.
Me një popullsi mbi 200 milionë banorë, Nigeria shtrihet në rreth 1 milionë kilometra katrorë buzë Gjirit të Guinesë. Funksionon si shtet federativ me 36 shtete përbërëse, ndërsa për kryeqytet ka Abujan.
Rreth 24 milionë banorë jetojnë në qytetin bregdetar të Lagosit, që është zona urbane më e madhe e Afrikës.
Por përtej këtyre shifrave fshihen plot probleme që e trazojnë Nigerinë. Ajo ka të paktën 250 grupe etnike dhe një polarizim të theksuar të shoqërisë dhe zhvillimit.
Veriu më pak i zhvilluar, në shumicë është i besimit mysliman, ndërsa jugu i besimit krishter. Në jug janë përqendruar burimet kryesore të naftës.
Prej vitit 2009 veriu ka vuajtur trazira të dhunshme të kryesuara nga grupi terrorist i ashtuquajtur “Boko Haram” që nënkupton “Ndalim Frymës Perëndimore”. Prej asaj kohe mbi 20 mijë persona kanë humbur jetën teksa rreth 2 milionë të tjerë janë shpërngulur.
Në vitin 2015 grupi shpalli formimin e një Shteti Islamik dhe aleancën me të njëjtin grupim në Siri e Irak.
Por pavarësisht destabilitetit të frikshëm, Nigeria ka gëzuar një bum ekonomik të vazhdueshëm.
Dekadën e fundit ajo ka pasur një rritje ekonomike mesatare prej 7%. Kjo falë zhvillimit të industrisë së naftës. Ajo tashmë është prodhuesja dhe eksportuesja kryesore e naftës në Afrikë dhe e teta në rang shtetesh në botë.
Kjo industri sjell 70% të të ardhurave në buxhetin e shtetit, duke i dhënë një burim të jashtëzakonshëm për investime. Mirëpo korrupsioni dhe pandëshkueshmëria e kanë cenuar ndjeshëm zhvillimin e njëtrajtshëm.
Një pjesë e theksuar e popullsisë jeton me më pak se 1 dollarë në ditë teksa mbi 15 milionë fëmijë përllogariten të jenë jashtë sistemit shkollor.
*Përkthyer dhe përshtatur nga AFP.