Pritshmëritë rreth ilaçit të Biogen kundër Alzheimerit

Kompania Biogen mund të ketë gjetur një trajtim të efektshëm për sëmundjen e Alzheimerit, por investitorët mbeten disi skeptik.

Biogen në bashkëpunim me japonezët Eisai deklaruan këtë javë rezultate të kënaqshme në fazat eksperimentale të ilaçit Aduhelm. Ata thanë se te pacientët me simptoma të hershme u vu re se medikamenti i tyre mund të vononte efektet e Alzheimerit me 27% në 18 muaj trajtim.

Ky lajm rriti ndjeshëm vlerën e kompanisë Biogen në bursa me rreth 11 miliardë dollarë. Megjithatë ky reagim ishte disi konservator, krahasuar me rastet e ngjashme kur kompanitë farmaceutike kanë njoftuar zbulimin e medikamenteve të reja.

Alzheimeri është një sëmundje degjenerative e trurit, e zbuluar fillimisht në vitin 1906 nga neuropatologu Alois Alzheimer. Zakonisht shfaqet te moshat mbi 65 vjeç, megjithatë simptomat e para si zbehja e kujtesës afatshkurtër po vihen re dhe në mosha më të reja.

Hamendësohet se mbi 26 milionë persona vuajnë në mbarë botën nga kjo Alzheimeri, i cila deri më sot është konsideruar i pashërueshëm. Ndërkohë, studime kanë treguar se pacientët po vijnë duke u shtuar.

Me vetëm 27% efektshmëri, ilaçi i Biogen duket pak efektiv, por sidoqoftë, nëse merr miratimin e autoriteteve, ai do të jetë trajtimi i vetëm duke qenë se asnjë ilaç tjetër nuk ka treguar rezultate të kënaqshme. Gjithsesi efektshmëria e ulët duket se po i mban investitorët e tërhequr.

Por në Wall Street ka nga ata që besojnë se Biogen mund t’i rrëzojë pritshmëritë e skeptikëve.

Biogen ende nuk ka botuar të dhënat e detajuara nga faza eksperimentale. Po kështu nuk ka të dhëna se sa do të jetë kostoja e ilaçit. Por disa ekspertë të farmaceutikës thonë se në fazat fillestare 1 vit trajtim mund të kushtojë deri në 20 mijë dollarë.

Me këtë kosto parashikohet që Biogen të ketë rreth 6 miliardë dollarë shitje në vit vetëm në tregun amerikan dhe rreth dyfishin për tregun botëror.

Pikërisht ky treg i madh konsumatorësh mund të bëjë që në rast të një miratimi nga autoritetet vlera në bursa e Biogen të fluturojë në maja.

*Tibo News.