Pranga të dashurit të efektives së vetëvrarë në Tiranë

Vetëm disa orë pas vetëvrasjes me armën e shërbimit të efektives 21 vjeçare në kryeqytetin Tiranë, policia ka vënë në pranga të dashurin e saj.

Sipas policisë, ky i fundit dyshohet se ka takuar viktimën 21 vjeçare në banesën e saj përpara ngjarjes dhe ka fshirë mesazhet nga telefoni i saj.

Nisur nga këto dyshime ai akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Efektivja e policisë, Aldorjana Loshi, 21 vjeç vrau veten me armën e shërbimit pasditen e të premtes.

Prej afro 1 viti e gjysmë pjesë e strukturës së policisë duke shërbyer në patrullë pranë Komisariatit numër 5, 21 vjeçarja në rrethana ende të paqarta u gjet e pajetë në banesën e saj në zonën e njohur si tregu elektrik.

Mësohet se ajo ishte vetëm në banesë kur ndodhi ngjarja dhe raportimin e parë në polici e bëri i dashuri i saj.

Ky i fundit u shoqërua në polici për të dhënë deklarimet, teksa hetuesit po verifikojnë shkaqet që çuan 21-vjeçaren drejt aktit të rëndë.