Përmbyllen me sukses “Ditët olimpike”, Presidenti i KOKSH: Synojmë afrimin e të rinjve me sportin në shkolla

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar si dhe Akademia Olimpike realizuan më 31 maj në Sheshin Nënë Tereza të Tiranës, një ditë olimpike, e cila mbylli gjithë rrugëtimin e ditëve olimpike nëpër Shqipëri që patën nisur më datë 6 maj.

Organizimi mbante emrin “Stafeta e vlerave Olimpike” dhe synonte kalimin e vlerave olimpike nga sportistët elitarë te të rinjtë. Çelja e eventit u përshëndet nga Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi dhe zyrtarë të tjerë lokal.

Teksa përmendi sukseset e peshëngritësve Evangjeli Veli dhe Erkand Qerimaj, të cilët u vlerësuan me medalje ari në europian, Presidenti Ylli tha se në mbështetje të qeverisë është planifikuar një projekt madhor që sporti t’i afrohet më tepër të rinjve në shkolla.

“Stafeta e vlerave Olimpike” përkoi me çeljen e turit të 79-të çiklistik të Shqipërisë me 95 sportistë pjesëmarrës nga 13 shtete të botës. Në përmbyllje të ceremonisë, nxënësit realizuan një xhiro me biçikleta së bashku me sportistët profesionistë.