Pelé s’është në rrezik për jetën, thotë familja

Legjenda e futbollit Pelé nuk është në reanimacion.

Kështu është shprehur familja e brazilianit, e cila mohoi thashethemet se 82-vjeçari ishte në rrezik për jetën, pasi ai u shtrua në spital një javë më parë teksa trajtohej për kancer.

Pele luajti si sulmues për Brazilin dhe klubet Santos dhe New York Cosmos. Ai konsiderohet si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave duke qenë dhe tre herë fitues i Kupës së Botës.

Në shtator të vitit 2021, Pele u detyrua t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale pasi u diagnostikua me kancer në zorrën e trashë.

Prej asaj kohe ai vijon trajtime të vazhdueshme shëndetësore.

Vajza e Pelesë tha për TV Globo të Brazilit se kimioterapia ia ka rënduar shëndetin të atit, por që pavarësisht kësaj ata nuk duan që fansat të mendojnë se ai po vdes, përkundrazi të mendojnë pozitivisht dhe me optimizëm për jetën.

Kulla jashtë stadiumit Khalifa International në Kupën e Botës në Doha u ndez në fundjavë me mesazhe të shumta për Pelenë.

Disa nga fansat e tij u mblodhën jashtë spitalit Albert Einstein në Sao Paulo, nga ku ai po merr kujdes shëndetësor.

Tifozët i uruan Pelesë shërim sa më të shpejtë, ndërkohë që stafi mjekësor në spital tha se Pele ishte në gjendje të qëndrueshme dhe i ishte përgjigjur mirë trajtimit.

*Tibo News.