PE: Rusia t’i kthejë Rumanisë arin që ka mbajtur gjatë Luftës së Parë Botërore

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Mbretëria e Rumanisë dërgoi në Rusinë Perandorake 91,5 ton monedha dhe shufra ari, si dhe xhevahire dhe thesare të tjera kulturore, si vepra të ndryshme arti.

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë jodetyruese që i bën thirrje Rusisë t’i kthejë Rumanisë arin dhe sendet e tjera me vlerë që u dërguan nga ai vend në Moskë për ruajtje gjatë Luftës së Parë Botërore.

Në vitet e mëvonshme, rumunët u përpoqën të rimerrnin arin, por pa sukses.

Një komision i përbashkët për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe u formua në vitin 2003 midis Rusisë dhe Rumanisë, detyra e të cilit, ndër të tjera, ishte të zgjidhte çështjen e arit të munguar.

Rezoluta u dorëzua nga deputeti rumun Eugen Tomak, me mbështetjen e Bankës Kombëtare të Rumanisë. Në një postim në Facebook, ai e cilësoi atë si një “votim historik” dhe “çështje të dinjitetit kombëtar”.

Ndërkohë, nuk ka ende një koment zyrtar nga Moska.