PE paralajmëron tensione në Ballkan

Parlamenti Europian ka shënjestruar Serbinë në raportin e tij të fundit kushtuar ndërhyrjes së huaj në Europë dhe në Ballkanin Perëndimor, duke cituar aty mundësinë që Beogradi i ka dhënë kanalit rus, Russia Today të përhapë fushatën e tij në rajon.

Kanali i njohur shtetëror rus është aktualisht nën sanksionet e BE-së me akuzën se është një vegël e qartë propaganda e Moskës. Por ndërsa blloku ia ka ndaluar atij transmetimet, në Serbi, Russia Today ka hapur një zyrë dhe një kanal në gjuhën serbe.

Raporti i hartuar nga një komitet i veçantë i Parlamentit Europian, i cili u miratua në Komisionin e Politikës së Jashtme, ka rikthyer kështu edhe një herë me forcë vëmendjen tek një çështje që e shqetëson perëndimin prej kohësh. Ai nënvizon nevojën që BE-ja t’i kundërvihet në mënyrë aktive propagandës së aktorëve, për të cilët thotë se kanë “qëllime të këqija në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe synojnë dëmtimin e interesave dhe të vlerave të BE-së”.

Aty nënvizohet veçanërisht se Serbia dhe hapësirat e dominuara nga serbët janë të ndjeshme ndaj përpjekjeve për destabilizim. Rusia, thuhet aty, përdor ndikimin e saj në Serbi duke tentuar që të destabilizojë vendet fqinje e kjo ilustrohet me shembullin e Bosnje Hercegovinës përmes Republika Sërspka; Malit të Zi përmes  ndjenjave pro-serbe si dhe Kishës ortodokse serbe; dhe Kosovës duke përdorur mospajtimet ekzistuese në veri”.

Raporti thekson po ashtu se qëndrimet pro-ruse po përhapen në rajon përmes mediave serbe dhe hungareze.