Paraburgim për tre policët e Kosovës

Tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, iu shqiptua masa e paraburgimit. Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë e mori vendimin pas kërkesës së prokurorit publik të këtij qyteti në jug të Serbisë.

Sipas njoftimit, tre policët dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse.

Tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e paraburgimit. Qeveria e Kosovës pretendon se policët janë “rrëmbyer”, pasi, sipas saj, ata janë arrestuar në territorin e Kosovës.

Serbia e mohon këtë, duke thënë se ata janë arrestuar në territorin e saj. Tre policët u morën të premten në pyetje në Prokurorinë e Lartë Publike në Kralevë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se më herët se, mesa duket, prokurori në Serbi i ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre policëve të arrestuar, ndërsa i ka mbajtur në fuqi vetëm akuzat për posedim të paligjshëm të armëve. Kurti i bëri komentet gjatë një adresimi në Forumin e Prespës në Strugë.