“Paketa e Sigurisë në shkolla”: Ministri Balla dhe zyrtari i TikTok takohen me gjimnazistë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla vizitoi nxënës të shkollave të mesme të Tiranë, në kuadër të Paketës së Sigurisë në Shkolla,  me një fokus të shtuar tek vigjilenca kundër dhunës, dezinformimit, shantazheve dhe gjuhës së urrejtjes online. Ministri i Brendshëm Balla shoqërohej nga Jakub Olek, drejtor i TikTok për politikat Publike dhe Marrëdhëniet me qeverinë.

Ministri Balla tha se çdo qytetar përdorues të ndiqet me prioritet dhe abuzuesve t’u bëhet e qartë se tani është shumë më e thjeshtë për t’i gjetur dhe për t’i vendosur me përgjegjësi përpara ligjit.

Ndërsa zyrtari i TikTok tha:

“Në platformë nuk duam asnjë lloj forme dhune, gjuhë urrejtjeje, bullizmi ose dhunë ndaj grave. Kjo është diçka që nuk ka vend në platformën tonë dhe është hequr nga platforma kur ka përmbajtje të tilla, ose edhe kur përdoruesit krijojnë përmbajtje të tilla, ata do të hiqen nga platforma tërësisht. Ngjarjet e fundit në Shqipëri që kanë qenë shumë të trishtueshme, sigurisht ne i kemi parë me shumë kujdes dhe kemi diskutuar në ekip sesi mund të përmirësojmë platformën”.

Ai shtoi se numri i përdoruesve të rrjetit po rritet në mënyrë të shpejtë, por nga ana tjetër TikTok ka mbi 40 mijë punonjës të angazhuar për sigurinë e platformës.

Ministri Balla u shpreh se jemi në kohën e duhur për të rritur vigjilencën sa i përket një sërë fenomenesh që kanë të bëjnë me shantazhin brenda apo jashtë shkollës si dhe dhunën online.

“E kam shprehur shqetësimin sesi në këtë rrjet ka një gjuhë të pakontrolluar, mesazhet e një gjuhe tërësisht të pahijshme duke shkuar pastaj edhe në promovimin e veprimtarive të ndryshme kriminale, sikurse mund të jetë edhe përdorimi i lëndëve narkotike. Janë një shqetësim për ne, janë një shqetësim për mua si Ministër i Brendshëm, por më shumë se kaq, janë një shqetësim për mua edhe si një baba i një djali 14-vjeçar, dhe se përgjegjësia ime është njëlloj për të gjithë ju dhe për të gjithë moshatarët tuaj”.