OKB thirrje Britanisë të rishikojë planin për dërgimin e emigrantëve në Ruanda

Dy zyrtarë të lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara i bënë thirrje të martën Britanisë të rishikojë planin e saj për dërgimin e azilkërkuesve në Ruanda, duke paralajmëruar se masa do të kishte një ndikim të dëmshëm në të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e refugjatëve.

Në një deklaratë të përbashkët, Filippo Grandi, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët dhe Volker Turk, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, i bënë thirrje Britanisë të marrë masa praktike për të menaxhuar kalimin e emigrantëve të paligjshëm.

“Legjislacioni i ri shënon edhe një hap tjetër larg traditës së gjatë të Britanisë për të ofruar strehim për ata në nevojë, në kundërshtim me Konventën e Refugjatëve”, tha Grandy.

Turk, i cili e ka kritikuar planin në të kaluarën, tha se legjislacioni “pengon seriozisht sundimin e ligjit në Britani dhe vendos një precedent të rrezikshëm globalisht”.

Kryeministri britanik Rishi Sunak premtoi të hënën se do të fillojë dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë brenda 10 deri në 12 javë, pasi Dhoma e Lartë miratoi legjislacionin pas disa javë vonesash në një përpjekje për të ndryshuar planin.