Njihuni me kryeministren e Francës, Elisabeth Borne

Kryeministrja e Francës, Elisabeth Borne është gruaja e parë që mban këtë post pas më shumë se 30 vitesh. Mesazhi i saj për postin e ri lidhet me vajzat e reja për t’u frymëzuar.

“Dua t’ia kushtoj nominimin tim të gjitha vajzave të reja dhe t’u them atyre që t’i ndjekin ëndrrat deri në fund”, tha ajo në fjalimin e saj të inaugurimit.

Elisabeth Borne, 61 vjeçe me profesion fillimisht inxhiniere është përshkruar si teknokrate e krahut të majtë. Ajo shërbeu së fundmi si ministre e Punës nën presidencën e Emmanuel Macron.

Franca ka zgjedhjet e përgjithshme në qershor, por pasiguritë e zgjedhjeve parlamentare të 12-19 qershorit ngrenë një pikëpyetje mbi kohëzgjatjen e mandatit të Borne dhe sipas sistemit francez, kompetencat e presidentit janë dukshëm më të mëdha se ato të kryeministrit.

Një aleancë e fuqishme majtiste e udhëhequr nga Jean-Luc Mélenchon do të sfidojë partinë qendrore të presidentit muajin e ardhshëm.

Borne ka përvojë të detajuar për çështjet kryesore të politikave të gjelbërta dhe sociale. Ajo ka shërbyer më parë si ministre e transportit dhe ministre e tranzicionit ekologjik nën presidencën e Macron, i cili u rizgjodh muajin e kaluar. Orientimi i saj politik shihet si një pasuri për Macron, i cili synon të shtyjë reformat e diskutueshme të politikës sociale.

Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë të Marine Le Pen përbën gjithashtu një kërcënim të madh për La République En Marche të Macron (LREM – Republika në lëvizje), pavarësisht fitores së tij bindëse në raundin e dytë në prill.

Borne është gruaja e dytë që shërben si kryeministre e Francës, pas Edith Cresson në vitin 1991-1992.

Ajo ka mbajtur role të larta në kompanitë më të mëdha të transportit të Francës dhe ka këshilluar liderët e krahut të majtë për çështjet sociale në të kaluarën. Ajo gjithashtu ka një reputacion si gruaja që ka punuar me orë të stërzgjatura prej vitesh.

*Tibo News.