Një agjenci që do merret vetëm me transportin publik

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor po planifikojnë krijimin e një agjencie të re në vend që do merret vetëm me transportin publik.

“DPSHTRR, bashkë me MIE po punojnë prej një viti për një nga agjencitë më të rëndësishme në vend. Turizmi. I referohemi shpesh turizmit pasi turizmi tashmë është një nga sektorët e ekonomisë më të rëndësishëm në vend të cilit duhet t’i përgjigjen të gjithë sektorët jetikë siç është energjia, shëndetësia, transporti apo çdo sektor tjetër. Ky numër i konsiderueshëm vizitorësh kërkon jo vetëm infrastrukturë rrugore, por kërkon që të ketë edhe një transport publik, modern që t’i përgjigjet kërkesës. E kemi diskutuar disa herë me disa prej ambasadorëve tanë, sidomos ata që ndodhen në shtetet e Europës veriperëndimore që për vizitorët, transporti publik është shumë i rëndësishëm”, u shpreh ministrja Belinda Balluku gjatë analizës vjetore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Balluku njoftoi se këtë vit do të procedohet me krijimin e një agjencie për transportin publik. Sipas saj, kjo agjenci do të ofrojë shërbim të unifikuar në të gjithë vendin dhe bileta elektronike për të shmangur evazionin fiskal dhe abuzimet mbi udhëtarët. Zv/kryeministrja theksoi se paketa do të zbulohet në mënyrë të detajuar në ditët në vijim.