
Nisin hetimet për pasuritë e Bllakos dhe Kokës
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetim pasuror ndaj ish-deputetit të Partisë Socialist Alqi Bllako. Në këtë mënyrë krahas, procedimit penal në SPAK, ndaj Bllakos, po kryhen edhe verifikime përsa i përket pasurisë së tij. Në sitën e Prokurorisë së Posaçme, përveç sekuestrimit të apartamentit në pronësi të babait të ish-deputetit, në lupën e SPAK, janë vendosur edhe llogaritë e tij bankare. Gjithashtu sipas burimeve pranë SPAK mësohet se shkresa për të verifikuar pasuritë e Bllakos janë dërguar edhe në institucionet e agjencitë e pronave, për të parë nëse ka pasuri në emër të ish deputetit dhe familjarëve të tij. Hetim pasuror është duke u kryer edhe për ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka. Ku përveç sekuestrimit të kantinës së pijeve alkolike, dhe katër pronave, po verifikohen edhe llogaritë bankare të tij e familjarëve të tij.