Nga 1 Janari kurse digjitale falas tek Piramida

Nga janari i 2024-ës Bashkia e Tiranës do të mundësojë kurse digjitale falas tek Piramida për çdo nxënës. Kështu ka njoftuar kryetari i Bashkisë Erion Veliaj gjatë një takimi me nxënësit e ekselencës.

“Duke filluar nga data 1 Janar, të gjitha kurset tona do të jenë falas. Për çdo djalë dhe çdo vajzë që dëshiron të marrë njohuri digjitale, Bashkia e Tiranës me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ne do t’ua paguajë bursën e plotë. “

Veliaj shprehu dhe mirënjohjen e tij për nxënësit me rezultate të shkëlqyera në mësime. Këtë vit 2 926 nënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme mbështeten me bursa nga Bashkia e Tiranës.

“Këtë vit kemi thyer rekord për numrin e nxënësve me dhjeta. Prandaj, nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa t’u themi çunave dhe gocave: Bravo ju qoftë! Disa prej tyre ndoshta ia kanë nisur nga zero në Tiranë, ndaj kam veç mirënjohje për ta, për nënat, baballarët, gjyshërit dhe gjyshet tuaja.”

E ndërsa jemi në prag fundviti, kryebashkiaku fton të gjithë qytetarët të kontribuojnë për familjet në nevojë pranë qendrave sociale të Bashkisë së Tiranës.