
Ministri Britanik i Financave njofton rritje të taksave
Ministri i Financave në Mbretërinë e Bashkuar, Jeremy Hunt njoftoi këtë të enjte se do të ketë rritje të taksave që prekin kryesisht bizneset britanike si dhe do të merren masa për të shtrënguar shpenzimet publike.
Ky plan u paraqit në parlament në një kohë të vështirë për Britaninë e cila po përjeton trazira të mëdha ekonomike.
Hunt u shpreh përgjatë fjalës së tij se është e nevojshme që të rivendosej besimi në politik-bërjen dhe financat publike pas qeverisjes jetëshkurtër të Liz Truss e cila premtoi ulje të taksave për britanikët.
Sipas Ministrit të Financave duhet një luftë e ashpër për të luftuar nivelin e lartë të inflacionit në vend në mënyrë që situata të përmirësohet dhe të ketë një mundësi për të rindërtuar financat publike.
Firmat e naftës dhe gazit do të përballen tani më me taksa më të larta.
Hunt deklaroi se ekonomia britanike është në recesion dhe përpjekjet për të ndihmuar vendin do të përfshijnë edhe departamentet qeveritare të cilat duhet të mendojnë sesi mund të kursejnë para.
Qeveria do të shkurtojë edhe mbështetjen ndaj qytetarëve përsa i përket faturave të energjisë.
*TiboNews