Ministri Balla njofton ligj për dhunën online: Gratë ta konsiderojnë denoncimin si ditë çlirimi

Rastet e shantazheve dhe ngacmimeve online që kanë çuar në ngjarje ekstreme nga disa gra kanë bërë Ministrinë e Brendshme të hartojë një ligj sa i përket dhunës online e që duket se i mungon vendit tonë. Në takimin me rastin e festës së 8 Marsit, ministri i Brendshëm Taulant Balla foli për dhunën që ndodh online.

Ai tha:

“Unë e kam merakun tek pjesa që nuk e kemi fare dhe që bota e quan “Cyber Bullying Law”. Pra ne kemi një situatë që gjithë pjesën e dhunës që ndodh online e kemi të pambuluar me ligj. Kam identifikuar disa forma të dhunës. E para është përndjekja kibernetike. Nuk ekziston fare në legjislacionin tonë. Ngacmimi kibernetik. Bota e quan, “cyber harassment”. Sa raste përmendi avokatja për shembull. Edhe rasti i Durrësit ishte i këtij lloji. Pra dikush krijoi një ngacmim kibernetik dhe viktima nuk ia doli dot të shpëtonte nga stigma dhe pastaj erdhën dhe arsyet e tjera. Gjuha e urrejtjes në internet. Nxitja e dhunës përmes urrejtjes. Abuzimi me imazhin intim pa vullnetin e palës. Shantazhimi seksual. Pastaj janë një sërë termash që nuk ia gjejmë dot shqip për shembull “trolling”, një akt i qëllimshëm i joshjes së të tjerëve në diskutime të padobishme dhe pastaj bie pre. Dhe sa vajza dhe gra raportojnë çdo ditë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për disa kanale të çuditshme që hapen në Telegram, apo në rrjete sociale për të cilat natyrshëm ne kemi filluar të bëjmë një punë”.

Duke folur me shifra, ministri Taulant Balla bëri me dije se në dy muajt e vitit 2024 janë 629 vajza dhe gra të cilat e kanë denoncuar dhunën. Ministri Balla tha se nga 465 të dëmtuar, 350 janë vajza dhe gra. Ndërsa për krimet seksuale nga 125 raste të denoncuara 103 janë gra dhe vajza.

“Këto shifra janë thjesht dhe vetëm maja e ajsbergut. Pjesa tjetër nuk denoncohet ende. Ne mund të mblidhemi çdo ditë në tryezat e hoteleve, por të mos harrojmë që na duhet të dalim përtej sallave dhe mendoj që ka ardhur koha për të krijuar një kohezion kombëtar pa dallime institucionale, pa karriget për të cilat populli na ka deleguar t’i mbajmë. Na duhet të dalim dhe të flasim në territor me mesazhin që ka ardhur momenti ta zvogëlojmë, ndoshta nuk i japim dot fund, por ta zvogëlojmë këtë fenomen”.

Balla inkurajoi gratë dhe vajzat që ta denoncojnë dhunën dhe ta mendojnë si ditën e çlirimit:

“Hezitimin e parë e kanë nga stigma që krijohet në komunitet. Kam pasur rastin ta identifikoj personalisht edhe qasjen e vjetër që kishte shteti në marrëdhënie me viktimës. Ai reagimi i parë kur i thonë, po shikoje edhe një herë, se kjo gjë do bëhet publike, po ç’do thotë lagja, po ç’do thotë fisi, po çdo thonë krushqit. Kjo gjë duhet ndryshuar. Unë do bëj ç’është e mundur që këtë gjë ta ngremë gjithë së bashku dhe t’u themi të gjitha vajzave dhe grave që dhunohen që ta konsiderojë ditën e denoncimit si ditën e çlirimit. Si ditën e lirisë së vet dhe fillimin e një jetë shumë më të mirë se ajo që mundohet të kalojë në agoninë e përditshme”.