Meksika mobilizon ushtrinë pasi kartelet e drogës lirojnë nga burgu “Mbretin El Neto”

Meksika ka mobilizuar me urgjencë ushtrinë në një qytet kufitar me Shtetet e Bashkuara pas trazirave që kanë shoqëruar përplasjet dhe arratisjet nga burgu të disa të dënuarve.

Autoritetet dislokuan mbi 200 ushtarë në Ciudad Juarez, teksa policia lokale pati kërkuar përforëcime për shtypur bandat e armatosura që kanë zënë një pjesë të qytetit dhe për të kapur të arratisurit.

Situata përshkallëzoi ditën e Vitit të Ri kur një grup i armatosur sulmoi burgun e Chihuahuas, disa qindra kilometra larg kufirit me SHBA-në. Të paktën 19 persona u vranë, mes të cilëve policë, gardianë dhe të burgosur, ndërsa rreth 25 të dënuar u arratisën.

Grupi, i përkiste kartelit Los Mexicles në Juarez, bashkëpunëtore për trafikimin e drogës së kartelit të Sinaloas. Bashkë me ta u arratis dhe Ernesto Alfredo Piñón de la Cruz, i njohur si Mbreti El Neto, i konsideruar si zgjatim i pushtetit të El Chapos në veri.

El Neto, 32-vjeç, qe arrestuar në vitin 2009. Ai qe dënuar me mbi 200 vite burg për dhjetra vrasje, pengmarrje, trafik droge, pastrim parash dhe drejtim grupi kriminal.

Dyshimet e para janë se drejtori i burgut, Alejandro Alverado, mund të ketë bashkëpunuar me grupet kriminale. Për këtë ai është shkarkuar dhe vënë nën hetim.

Autoritetet federale që mbërritën për të rivendosur rendin më 1 janar, gjetën në burg një të ashtuquajtur “zonë VIP” plot me drogë dhe para.

Qeveria e Chihuahuas tha të martën se 7 persona u vranë gjatë përleshjeve të mëpasshme të policisë gjatë operacioneve të kërkimit për të gjetur të burgosurit e arratisur.

Ngjarjet e së dielës shënojnë një nga shifrat më të larta të vdekjeve nga dhuna në burgje në Meksikë në vitet e fundit.