Lufta si biznes për Mercenarët

2000 dollarë në ditë plus bonuse është oferta për ish ushtarakët multi-linguistikë nëse pranojnë të shkojnë në Ukrainë, ose 60 mijë dollarë në muaj. Duket si pjesë skenari i një filmi aksion por në kushtet e luftës Rusi-Ukrainë, kjo ofertë rekrutimi është mëse reale, e publikuar nga faqja e internetit për punësimet ‘Silent Profesionals’. Rekrutimi vlen për ata që punojnë në industrinë ushtarake private dhe të sigurisë. Dhe sipas mediave ndërkombëtare kërkesa po rritet.

Kontraktorët privatë amerikanë dhe evropianë thonë se po shohin gjithnjë e më shumë mundësitë, duke filluar nga mercenarët tek ekspertët e logjistikës. Ekspertët thonë se ka një boom kërkesash në treg për kontraktorët privatë në Ukrainë sot. Por kërkesa për punonjës të sigurimit me pagesë, shumë prej tyre ish mercenarë në mes të një lufte lë hapësira për konfuzion.
Edhe nga Perëndimi ka ish ushtarakë që po i bashkohen luftës në Ukrainë, pa pagesë por si vullnetarë. Megjithatë ata me gjasë paguhen njëjtë si të rekrutuarit. Paratë ofrohen nga shërbimet e sigurisë për interesa private.

Ushtritë private dhe firmat e sigurisë kanë ekzistuar prej dekadash, por janë vënë në vëmendje të publikut gjatë luftërave në Irak dhe Afganistan pas 11 shtatorit.
Në kulmin e luftës në Irak, mijëra kontraktorë privatë, si Blackwater, operonin atje. Detyrat varionin nga misionet e armatosura si mbrojtja e autokolonave deri te ushqimi dhe strehimi i trupave në baza ushtarake. Blackwater u bë famëkeq pas një numri incidentesh të profilit të lartë, duke përfshirë vdekjen e 14 civilëve irakianë të vrarë nga kontraktorët e saj në Bagdad në vitin 2007.
Në Evropën Lindore, firmat private janë përdorur prej kohësh për të mbrojtur njerëzit e pasur dhe korporatat. Gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, një numër firmash punësuan gjithashtu personel për të ndihmuar pajisjen, trajnimin dhe organizimin e forcave boshnjake dhe kroate – të gjitha me bekimin e qeverisë amerikane.

Natyra e industrisë do të thotë se gjurmimi i numrit të kontraktorëve dhe parave është i vështirë, por është me të gjitha llogaritë një industri në rritje. Një raport nga Aerospace & Defense News zbuloi se industria globale private ushtarake dhe e sigurisë do të ketë vlerë mbi 457 miliardë dollarë (348 miliardë £) në vitin 2030, nga rreth 224 miliardë dollarë në vitin 2020.

Ka ende paqartësi nëse konkretisht oferta është thjesht për kontraktorë apo mercenarë. Disa prej të interesuarve thonë se nuk kanë qëllim të vrasin rusë në Ukrainë, përveçse të ndihmojnë, sigurisht të armatosur, familjet ukrainase që i largohen luftës. Disa prej tyre janë mjekë, ndihmës mjekë, infermierë, ushtarë, ish ushtarakë dhe ish oficerë.

Kontraktorët perëndimorë udhëhiqen nga ligjet dhe rregulloret e vendeve të tyre. Ata supozohet të mbrojnë njerëzit, vendet ose pasuritë, në vend që të përfshihen në luftime të drejtpërdrejta. Por shumë prej tyre ne situata lufte si kjo tregojnë se janë mercenarë ose të ashtuquajtur ushtare të fatit. Në praktikë kjo linjë dalluese është e paqartë. Por shumë ekspertë thonë se pavarësisht se nuk cilësohet, nëse ke aftësi për të qenë një kontraktor privat, ke aftësinë për të qenë mercenar. A ka vijë dalluese? Mesa duket jo…. Thënë kështu, nëse mund të bësh njërën mund të bësh tjetrën.

Megjithatë përhapja e shumë mercenarëve mund të shkaktojë kaos. Sepse mercenarët e zgjasin konfliktin për më shumë përfitime monetare. Sipas mediave ndërkombëtare, anëtarë të grupeve mercenare ruse thuhet të jenë në terren në Ukrainë për të vrarë zyrtarë.

Njerëz që kanë pasur eksperienca të ngjashme thonë se rekrutimet veçanërisht për misionet e evakuimit paguhen me 10 mijë paund për person.
Disa kanë paralajmëruar se edhe misionet e shpëtimit me pagesë në Ukrainë mund të jenë të mbushura me rrezik si për kontraktorët ashtu edhe për klientët, dhe se industria është e mbushur me njerëz që keqinterpretojnë ose keqpërdorojnë aftësinë ose përvojën e tyre.