Lufta “Online” mes DiCaprios dhe Bolsonaros për Amazonën

Nuk është hera e parë që lideri i krahut të djathtë, presidenti i Brazilit përplaset me aktorin Leonardo DiCaprio, i cili është aktivist i zëshëm kundër ndryshimeve klimatike dhe ka postuar shpesh në rrjetet sociale për çështje mjedisore duke përfshirë nevojën për të mbrojtur pyllin tropikat të Amazonës.

Së fundmi ylli i Hollivudit iu ka bërë thirrje të rinjve në Brazil të votojnë në zgjedhjet e vendit dhe të mendojnë se çfarë rreziku i kanoset Brazilit dhe botës nga djegja e pyjeve të Amazonës.

Jair Bolsonaro nga ana tjetër është skeptik ndaj ndryshimeve klimatike, të cilat kanë dhënë ndikime në Amazonë në nivele rekord në muajt janar dhe shkurt të këtij viti.

Duke inkurajuar të rinjtë në Twitter që të regjistrohen për votim përpara afatit, DiCaprio përcolli këtë mesazh: “Brazili është shtëpia e Amazonës dhe ekosistemeve të tjera kritike për ndryshimin e klimës. Ajo që ndodh aty ka rëndësi për të gjithë ne dhe votimi i të rinjve është çelësi për ndryshimin, për një planet të shendetshëm”.

Në një përgjigje ironike, Bolsonaro ia kthen aktorit: “Faleminderit për mbështetjen tuaj Leo. Është vërtet e rëndësishme që çdo brazilian të votojë në zgjedhjet e ardhshme. Njerëzit tanë do të vendosin nëse duan ta mbrojnë sovranitetin tonë në Amazon, ose të qeverisen nga hajdutët që iu shërbejnë interesave të huaja”!

Në vitin 2019 pa asnjë provë apo fakt, Bolsonaro pretendoi se DiCaprio kishte financuar për vendosjen e zjarreve në pyjet tropikale të Amazonës. Ai po komentonte postimet e pabazuara në mediat sociale ku pretendohej se Fondi Botëror i Kafshëve të Egra kishte paguar për imazhe të marra nga zjarrfikës vullnetarë, të cilat më pas u përdorën për të mbledhur donacione, duke përfshirë një kontribut nga DiCaprio.  Por WWF mohoi çdo pretendim.

*Tibo News.