Lirohet ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, nga burgu në shtëpi

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako do dalë nga qelia e burgut.

Vendimi u mor këtë të martë nga Gjykata e Posaçme anti Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që ndryshoi masën e sigurisë nga ‘arrest në burg’ në ‘arrest shtëpie’.

Shkak për ndryshimin e kësaj mase është bërë fakti se afatet e paraburgimit kanë kaluar.

Ish-kryebashkiaku Vangjush Dako akuzohet se ka shpërdoruar detyrën, në dy raste; në lidhje me projektin e vijës bregdetare dhe me lejimin e ndërtimit të një pallati në Durrës pa dokumentacionin e nevojshëm.

Pak javë më parë GJKKO kërkoi nga SPAK që deri më 27 Shkurt të plotësojë dosjen edhe me një akt ekspertimi në lidhje me projektin e vijës bregdetare, për të cilën Dako dhe disa ish-zyrtarë dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën.

Afati i përcaktuar nuk u zbatua për shkak të mungesës së akt-ekspertimit topografik. Në këto kushte seanca u shty për më 18 Mars. Vangjush Dako u arrestua në Qershor të vitit 2023.