Kosova,16 vjet shtet i Pavarur

Kosova feston sot 16-vjetorin e Pavarësisë.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë më 17 Shkurt të vitit 2008. Deklarata e Pavarësisë u lexua asokohe nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi dhe u miratua në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës me 109 deputetë pjesëmarrës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë rikonfirmoi më 22 Korrik të vitit 2010, se Deklarata e Pavarësisë nuk kishte shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar dhe si e tillë shpallja e Pavarësisë ishte legjitime.

Kosovën e kanë njohur 117 shtete dhe vendi i fundit që e njohu ishte Izraeli. Kosova arriti së fundmi liberalizimin e vizave, ku qytetarët lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.

Me rastin e Pavarësisë, priten të mbahen disa evente festive ndërsa Kuvendi i Kosovës do zhvillojë një ceremoni solemne.

Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar mbledhjen e qeverisë ku ka theksuar se pavarësisht problemeve, vendi po zhvillohet.

Më pas u mbajt ceremonia e ngritjes së flamurit të Kosovës ku merrnin pjesë krerët më të lartë të vendit.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjofca dhanë nga një deklaratë pas kësaj ceremonie.

“Këto 16 vite të shtetit tonë Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe të vendosur, për të treguar para botës jo vetëm që e ka merituar lirinë dhe pavarësinë e saj, por që është edhe kontribuuese e paqes dhe stabilitetit e të sigurisë edhe përtej kufijve të saj”, tha Presidentja Osmani.

“Para një muaji ne përkujtuam 25 vjetorin e masakrës së Reçakut. Pas 3 javësh përkujtojmë 26-vjetorin e Epopesë ë UÇK-së. Pas 4 muajsh do të shënojmë 25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës. Pra rezistenca dhe çlirimi i paraprinë pavarësisë të cilën e gëzojmë sot dhe e forcojmë përmes institucioneve të shtetit, zhvillimit të ekonomisë, progresit demokratik e shoqëror”, tha Kurti.

“Sot është dita më e rëndësishme e shtetit tonë. Sot është edhe ditë jo vetëm e festimit, por edhe e reflektimit, falenderimit dhe mirënjohjeve”, tha Konjufca.