Konflikti Mediatik dhe sulmet ndaj TIBO: AMA nuk garanton Siguri Juridike dhe Integritet në Procesin Ligjor

Shqiptarët janë bombarduar kohët e fundit me linçimin publik që po i bëhet shoqërisë TIBO nga treshja mediatike “Digitalb – Top Media – Klan”, si një grup mediash të cilat pavarësisht se në sytë e opinionit publik shfaqen si konkurrente, veprojnë si një trup i vetëm me qëllim: goditjen e çdo konkurrenti që ofron cilësi dhe shërbim më cilësor për qytetarët.

Sipas një pubikimi ekskluziv në RTV Klan, të ndjekur nga Top Media, mësojmë se sot Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), me një vendim tinzar, të pa lajmëruar dhe të votuar unanimisht, paska vendosur t’i heqë licensën shoqërisë TIBO, me pretendimin e shkeljeve dhe piraterive.
Sulme të ngjashme mediatike, të reklamuara nga një treshe e cila ka arritur deri aty sa të kontrollojë atë që duhet t’i monitorojë, në opinionin publik shiten si ‘’gjoba’’. Mesa duket kjo është manovra e radhës, për të eliminuar konkurrencën dhe për të kontrolluar tregun mediatik.
Prej ditësh AMA pretendon se është duke rrënjosur ligjin ndaj çdo platforme apo medie në Shqipëri, sipas disa rregullave që në fakt për disa tolerohen dhe anashkalohen. Veprimet e fundit vërtetojnë se roli i këtij insitucioni ka degraduar dhe tashmë besimi ndaj këtij institucioni ka rënë. Qartazi, duket se ky institucion, po shërben edhe si një vegël e treshes mediatike, duke cënuar konkurrencën e lirë në tregun mediatik.
Legjislacioni për mediat audiovizive dhe Institucioni i ngarkuar me zbatimin dhe respektimin e tij e bën të qartë se AMA, duhet të veprojë në kushtet ku çdo subjekt i autorizuar prej tij, të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe të këtë pritshmëri të qarta lidhur me veprimet institucionale. Vetëm në këtë mënyrë respektohet zbatimi i parimit të “sigurisë juridike”. Parim i cili është thelbësor për zbatimin e drejtë dhe të paanshëm të ligjit nga ana e AMA-s. Në këtë rast, AMA po cënon parimin e sigurisë juridike. Veç të tjerash, siguria juridike parakupton besueshmërinë e qytetarëve tek shteti dhe pandryshueshmërinë e ligjit për marrëdhëniet e rregulluara.
Shumëkush mund të pyesë përse ky vendim apo qoftë të hedhë hije dyshimi, por e vërteta është kjo:
Shoqëria Digitalb, gjendur përballë humbjeve të vazhdueshme të gjyqeve në favor të TIBO, me miliona EURO detyrime ndaj TIBO-s, tashmë urdhëron AMA-n që liçenca e TIBO të hiqet.
Për më tepër, ky vendimi i AMA-s, dhe publikimi i këtij lajmi nga Klan dhe TOP, pikërisht në ditën e zhvillimit të një konkurrimi publik ku TIBO ka marrë pjesë, cënon rregullat e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg ku secili operator duhet të konkurrojë në bazë të cilësisë dhe aftësisë së tij, cilësi të cilat TIBO i ka përmbushur gjithmonë.
TIBO do të vazhdojë të ndjekë rrugën gjyqësore për këtë vendim sikurse ka bërë për të gjitha vendimet arbitrare të deritanishme që ka ndërrmarrë AMA. Nga ana tjetër AMA nuk do t’i shpëtojë as veprimeve juridike dhe as SPAK-ut, për të nxjerrë të vërtetën dhe për të mbajtur përgjegjësinë ligjore.
Parimi i shtetit të së drejtës ku mbështetet një shtet demokratik, nënkupton sundimin e ligjit dhe mënjanimin e arbitraritetit, me qëllim që të arrihet respektimi dhe garantimi i dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe sigurisë juridike. Për këtë arsye, Shoqëria TIBO kërkon një hetim të thelluar për të zbuluar arsyet e vërteta pas vendimit të AMA-së.