Kompania suedeze paguan stafin edhe pas mbylljes së biznesit në Rusi

Kompania e telekomunikacionit Ericsson vendos të paguajë punonjësit edhe pas mbylljes së biznesit në Rusi për një kohë të pacaktuar.

Ericssonka rreth 600 punonjës në Rusi.

Kompania kishte ndërprerë dërgesat për klientët në Rusi në shkurt, dhe rivalja Nokia  e bëri në fillim të marsit.

Pezullimi do të dëmtojë gjithashtu planet e ardhshme të Ericsson në vend. Rusia vitin e kaluar deklaroi se do të zgjasë licencat e operatorëve të telekomunikacionit përtej vitit 2023 me kusht që ata të fillojnë ndërtimin e rrjeteve duke përdorur vetëm pajisje ruse.

Ericsson nuk ka asnjë prodhim në Rusi dhe qendrat e saj prodhuese në Evropë janë në Estoni dhe Poloni.

Nokia në nëntor njoftoi planet për të ngritur një sipërmarrje të përbashkët me YADRO, një zhvillues dhe prodhues kryesor rus i serverëve dhe sistemeve të ruajtjes me performancë të lartë, për të ndërtuar stacione bazë të telekomit 4G dhe 5G në Rusi.

Nokia tha në një deklaratë se kompania është në përputhje me të gjitha sanksionet dhe kufizimet dhe ka pezulluar dërgesat në Rusi për momentin.

Qindra kompani perëndimore janë tërhequr ose kanë pezulluar operacionet në Rusi që kur vendi pushtoi Ukrainën në shkurt, ndërsa qeveritë perëndimore kanë vendosur sanksione.

Presidenti rus Vladimir Putin dërgoi trupat e tij në Ukrainë në atë që ai e quan një “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar dhe “denazifikuar” Ukrainën. Ukraina dhe Perëndimi thonë se Putini filloi një luftë të paprovokuar agresioni.