Kodi Etik, çfarë iu ndalohet tani ministrave

Hyn në fuqi Kodi Etik për ministrat.

Sipas këtij Kodi, ministrave u ndalohet me ligj që të takohen me biznesmenë.

Ata nuk mund të pranojnë bileta të paguara nga persona dhe kompani private apo të frekuentojnë bare e restorante gjatë ditëve të punës.

Ministrave iu ndalohet bixhozi dhe të mos hyjnë në asnjë ambient lojërash fati.

Ata duhet të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Nëse anëtari i kabinetit do të bëjë një nga këto shkelje, ose duhet të kërkojë ndjesë publike ose do shkarkohet menjëherë nga detyra.

Disa pika të tjera të Kodit Etik: 

-Lejohet takimi me grupe biznesi, por vetëm në prani të 2 nëpunësve publikë të cilët mbajë minutat e takimeve, identitetin e personave dhe shënojnë në një regjistër të posaçëm çështjet e diskutuara.

-Ministrat ndalohen të udhëtojnë me “Bussines Class” brenda Europës.

-Ndalohen të përdorin sallën VIP të aeroportit apo makinën e punës për familjarët në momentin që nuk janë vetë të pranishëm.

-Ndalohet organizimi i festave për personelin me fondet e buxhetit apo pushimet jashtë vendit.

-Frekuentimi i bareve e restoranteve lejohet gjatë pushimeve zyrtare vetëm në rast të eventeve familjare dhe shoqërore, apo aktivitete që lidhen me punën dhe që është marrë leje.

-Të gjitha dhuratat që marrin ministrat do përdoren si dekor për zyrën ose të dorëzohen në Kryeministri.

-Punonjësit e administratës ndalohen të bëjnë veprime jo etike e të ekzagjeruare në bare e restorante, të frekuentojë ambiente të padenja, të takohen me grupe interesi, të publikojë në rrjete sociale video dhe foto të papërshtatshme të ambientit të punës.

Rregullat e njoftuara nga Kryeministri Edi Rama në fillimin e mandatit të tretë u miratuan në Shtator të vitit të shkuar nga Këshilli i Ministrave. Kodi i ri Etik ka hyrë në fuqi të premten e 29 Prillit.

*Tibo News.