
Juve-Inter, Boniek ironizon performancën e futbollistëve
“Ishte një ndeshje e bukur, e ndjerë nga të dyja palët. Juventusi nuk kishte fat, sidomos në 25 minutat e para, por edhe Interi u tregua shumë i zoti,” ka thënë zëvendës-presidenti i UEFA-s, Zbigniew Boniek për “Rai Radio1”, duke analizuar ndeshjen e djeshme Juventus-Inter.
Ish-futbollisti polak ka vijuar më tej duke ironizuar edhe polemikat që shoqëruan super-ndeshjen e së dielës.
“E vetmja gjë që më bezdis, jo në këtë ndeshje, por në përgjithësi është fakti që lojtarë që peshojnë 90 kilogramë, janë shumë të fortë, por mjafton ti prekësh pak dhe bien menjëherë në tokë. Futbolli është një sport kontakti. Sipas rregullores është penallti, por duhet parë se kjo rregullore është bërë si në basketboll, ku nuk lejohet kontakti. Disa penallti janë shumë të lehta”, ka thënë Boniek.
“VAR-i ndërhyri sepse gjyqtari nuk do të quante golin e rregullt, por do të jepte goditje dënimi për Juventusin”, ka shtuar për përsëritjen e penalltisë./Oversport.tv