“Jemi të vendosur të përmbushim detyrimet ndaj Aleancës”

Në Bruksel u mbajt takimi i ministrive të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s ku ishte i pranishëm edhe ministri shqiptar i Mbrojtjes Niko Peleshi. Në ditën e dytë të takimit u diskutua për situatën e sigurisë Euro-Atlantike, deterrencën dhe mbrojtjen si dhe përgatitjet për Samitin e ardhshëm të Uashingtonit, i cili përkon me 75 vjetorin e krijimit të Aleancës.

Ministri i Mbrojtjes mbajti fjalën e tij, ku theksoi vendosmërinë e Shqipërisë për përmbushjen e detyrimeve ndaj Aleancës.

Një nga këto detyrime është dhe rritja e nivelit të shpenzimeve të mbrojtjes në 2% të PBB dhe shpenzimeve minimalisht prej 20 % të këtij buxheti për modernizimin e Forcave të Aarmatosura me pajisjet kryesore ushtarake.

Ministri Peleshi theksoi se Shqipëria është e vendosur për të vijuar kontributin ushtarak përmes pjesëmarrjes në misionet dhe operacionet e NATO-s.

Ministri Peleshi theksoi se nuk duhen nënvlerësuar rreziqet e brendshme dhe të jashtme.

“Është e rëndësishme që komuniteti Euro-Atlantik të flasë qartë dhe të tregojë vendosmërinë për përfshirjen e të gjithë rajonit në ombrellën e sigurisë Euro-Atlantike”, theksoi ministri Peleshi.

Gjatë ndërhyrjes së tij në këtë takim, Ministri i Mbrojtjes foli edhe për investimet infrastrukturore në Shqipëri, veçanërisht përgjatë korridorit të VIII si dhe Projektin e Porto Romanos.

Ministri tha se investime të tilla përshtaten më së miri edhe me konceptin e “enamblemet” të NATO-s, aq të rëndësishëm në situatën e trazuar që po jetojmë.