Italia në krizë politike. Kryeministri dorëhiqet, por nuk e pranon presidenti

Kryeministri i Italisë Mario Draghi ka ofruar dorëheqjen e tij duke njoftuar se qeveria e koalicionit ka rënë. Por presidenti Sergio Mattarella e ka refuzuar këtë dorëheqje. Ai ka ftuar kryeministrin të shkojë në parlament dhe të bëhet një vlerësim i situatës.

Refuzimi i dorëheqjes duket se ka lënë në pikëpyetje të ardhmen e qeverisë 17-mujore të Draghit, mbijetesa e tij e testuar nga divergjencat gjithnjë e më të forta brenda koalicionit.

Kryeministri fitoi votëbesimin në Senat më herët, por Lëvizja populiste 5-Yje bojkotoi votimin, duke e futur koalicionin në krizë.

Votimi ishte 172-39, por senatorët e Lëvizjes Populiste munguan pasi konfirmuan se nuk do të merrnin pjesë në votimin për një projekt-ligj për lehtësimin e kostove të larta të energjisë.

Nëse do të pranohej dorëheqja e Draghit, vendi do të niste përgatitjet për zgjedhje në shtator.

Prej kohësh qeveria e Draghit është përfshirë në tensione të mëdha, partitë e koalicionit janë vënë kundër njëra tjetrës për zgjedhjet kombëtare që zhvillohen në fillim të vitit 2023.

Vendimi i partisë 5-yje për të bojkotuar votëbesimin të enjten e futi Italinë në pasiguri politike. Vendimi rrezikon të minojë përpjekjet për të siguruar miliarda euro nga fondet e Bashkimit Europian, për të trajtuar situatën me thatësirën dhe për të ulur varësinë nga gazi rus.

Draghi deklaroi se nuk do të donte të drejtonte një qeveri pa 5-Yjet.

Teorikisht ai ka shumicën për të qeverisur edhe pa lëvizjen populiste, por ish-shefi i Bankës Qendrore Evropiane ka deklaruar në disa raste se nuk do të kishte qeveri pa to.

Qeveria e gjerë e “unitetit kombëtar” e Draghit u formua në shkurt të vitit 2021 me parti në të djathtë dhe të majtë për të ndihmuar Italinë të rimëkëmbet nga pandemia e Covid dhe kriza ekonomike që pasoi.

Por pa mbështetjen e partisë 5 Yjet, ai argumenton se qeveria e tij do të bëhej shumë “politike” dhe se nuk ka mandat për të udhëhequr një kabinet të tillë.

Partia 5-Yjet doli si partia më e madhe në zgjedhjet e mëparshme të vitit 2018. Por që atëherë ata kanë pësuar humbje të mëdha të mbështetjes publike.

*Tibo News.