Italianët, të dytët pas shqiptarëve të Kosovës që kryesojnë vizitat në Shqipëri

Pas shqiptarëve të Kosovës që zënë vendin e parë të vizitorëve në vendin tonë, italianët përbëjnë grupin e dytë më të rëndësishëm të shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri përgjatë 11 muajve të pare të 2023.Sipas të dhënave, vendin tonë e kanë vizituar 872 mijë italianë gjatë periudhës Janar-Nëntor.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i italianëve që kanë hyrë në vendin tonë është rritur me 55%. Vendin e tretë e të huajve që kanë hyrë në vendin tonë e zënë grekët me 592 mijë shtetas, çka përbën një rritje me 37 për qind krahasuar me një vit më parë.

Pas tyre, vijnë turistët nga Mali i Zi të cilët kanë shënuar një rritje me 43 %.

Rritje të konsiderueshme kanë shënuar edhe turistët gjermanë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 11 muajve të parë të këtij viti, në vendin tonë kanë hyrë 302 mijë gjermanë, ose 68 për qind më shumë se një vit më parë. Sa i përket rritjes më të madhe në për qindje e kanë shënuar shtetasit kinezë me 184 për qind, pas tyre vijnë ukrainasit me 123 për qind dhe më pas finlandezët dhe spanjollët, respektivisht me 106 dhe 93 për qind më shumë.

Kryeministri Edi Rama duke komentuar këto shifra në rrjetet sociale, ka theksuar se bumi turistik po konfirmohet edhe gjatë Dhjetorit.

“Dhjetori vazhdon të sjellë ende flukse mysafirësh nga të gjitha vendet e botës, që duan ta shijojnë Shqipërinë edhe në dimër. Përveç vizitorëve besnikë nga Kosova që zënë peshën kryesore të hyrjeve turistike, duke u rikthyer disa herë brenda vitit, italianët kanë qenë surpriza e këtij viti, me 872 mijë vizitorë.” Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, deri në Nënëntor të vitit 2023, Shqipërinë e kanë vizituar 9,54 milionë shtetas të huaj.