Guvernatori Sejko: Inteligjenca artificiale, sfidë për bankat

Inteligjenca Artificiale po kthehet në një sfidë për bankat qendrore. Këtë ka deklaruar Guvernatori i Banjës së Shqipërisë Gent Sejko teksa po mbante një fjalim në Forumin Euromoney të zhvilluar në Austri.

Pjesë nga fjalimi i Guvernatorit Sejko:

“Përdorimi i të dhënave, inteligjencës artificiale, monedhave digjitale dhe inovacioni i sistemeve të pagesave kanë sfiduar praktikat dhe politikat ekzistuese të bankave qendrore.Ashtu si çdo zhvillim teknologjik, këto tendenca ofrojnë si mundësi, për sa i përket përfitimeve të mundshme, ashtu edhe rreziqe, dhe të dyja këto aspekte duhet të vlerësohen dhe kuptohen me kujdes. Bankat qendrore duhet të jenë të gatshme të ndërhyjnë me rregullore të përshtatshme në momentin që instrumente të tilla të tregut financiar fillojnë të luajnë një rol serioz dhe sistematik në treg.”

Guvernatorë të tjerë të pranishëm nga vende të tjera diskutuan gjithashtu mbi sfidat që shtrohen përpara ekonomive të rajonit nga rritja e inflacionit dhe reagimi i bankave qendrore ndaj tij.

Shqipëria ka dalë nga lista e vendeve në monitorim të shtuar në fund të vitit 2023 dhe me këtë dalje, Guvernatori Sejko ka komunikuar me Autoritetin Bankar Europian duke shprehur gatishmërinë e Bankës së Shqipërisë për të realizuar procesin teknik të vlerësimit.

Forumi “Euromoney” për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore është një aktivitet që zhvillohet çdo vit dhe që mbledh së bashku aktorë të njohur nga fusha akademike, ekonomike dhe financiare.