Greqia harton projektligj për legalizimin e martesave të të njëjtit seks

Në Greqi, një projektligj për legalizimin e martesave të të njëjtit seks do të publikohet së shpejti në një përpjekje për të eliminuar diskriminimin në bazë të orientimit seksual, tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

Greqia ka zbatuar një sërë reformash gjatë dekadës së fundit për të përmirësuar të drejtat LGBT+ në një vend ku Kisha Ortodokse Greke kundërshton të drejtat e barabarta për çiftet e të njëjtit seks.

Sakaq, Mitsotakis ka hartuar një strategji kombëtare për të drejtat e personave LGBT+, e cila mund të fitojë mbështetje nga e majta, por edhe të hasë kundërshtime në qarqet më konservatore.

Greqia njohu marrëveshjet e bashkëjetesës për çiftet e të njëjtit seks në vitin 2015, gjë që u jep atyre disa të drejta dhe përfitime, por ende nuk u lejohet të kenë apo birësojnë fëmijë në çift.

Kisha Ortodokse Greke kundërshton martesën mes personave LGBT+. Rreth 80 deri në 90 për qind e 11 milionë banorëve të Greqisë e identifikojnë veten si ortodoksë.