
Gjermani do të dërgojë tanke “Leopard 2” në Ukrainë
Pas disa javësh hezitim, Gjermania ka rënë dakord të dërgojë tanke Leopard 2 në Ukrainë, në atë që Kievi shpreson se do të ndryshojë lojën në fushën e betejës.
Kancelari Olaf Scholz njoftoi vendimin për të dërguar 14 tanke të tilla në një takim me kabinetin që u mbajt këtë të mërkurë.
Administrata e presidentit amerikan Joe Biden pritet gjithashtu të njoftojë planet për të dërguar të paktën 30 tanke M1 Abrams.
Një zëdhënës i Kremlinit tha më herët se tanket do të “digjen si gjithë të tjerët”.
Dmitry Peskov tha se kishte një mbivlerësim të potencialit që tanket do t’i sillnin ushtrisë ukrainase dhe e quajti lëvizjen një “plan të dështuar”.
Por zyrtarët ukrainas këmbëngulin se ata kanë nevojë urgjente për armë më të rënda dhe thonë se tanket e mjaftueshme të betejës mund të ndihmojnë forcat e Kievit të rimarrin territorin nga rusët.
Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se vendimi për të furnizuar me tanke Kievin zyrtar “ndjek linjën tonë të mirënjohur të mbështetjes ndaj Ukrainës me kapacitetet tona më të mira”.
Gjermania gjithashtu lejoi vendet e tjera të dërgonin tanket e tyre Leopard 2 në Ukrainë – gjë që ishte e kufizuar deri më tani sipas rregulloreve të eksportit.
SHBA dhe Gjermania i kishin rezistuar presionit të brendshëm dhe të jashtëm për të dërguar tanket e tyre në Ukrainë për disa kohë.
Uashingtoni përmendi trajnimin dhe mirëmbajtjen e gjerë të kërkuar për Abrams të teknologjisë së lartë.
Gjermanët duruan muaj debati politik rreth shqetësimeve se dërgimi i tankeve do të përshkallëzonte konfliktin dhe do ta bënte NATO-n një palë të drejtpërdrejtë në luftën me Rusinë.
*TiboNews