Futbollistët që luajnë shansin e fundit në Katar

Dy dekadat e fundit, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo kanë diktuar futbollin botëror, por me shumë gjasë, turneu i Katarit mund të jetë i fundit për ta.

Ngjashëm ky botëror mund të jetë i fundit edhe për yje të tjera.

Dyshja ka fituar gjithçka në rrafshin individual, në futbollin për klube dhe po ashtu në turnetë kontinental në Europë e Amerikë të Jugut, por ajo që u mungon është Kupa e Botës.

Më poshtë Tibo News sjell emrat e lojtarëve që bëjmë mirë t’i shijojmë me vëmendje gjatë këtij botërori, pasi mund të mos luajnë më me kombëtaret e tyre vitin e ardhshëm.

Cristiano Ronaldo, 37 vjeç (Portugalia)

I ashtuquajtur “CR7” ka shënuar 117 gola me kombëtaren duke i dhënë një dorë të fortë në triumfin në Euro 2016. Ai shihet si figurë frymëzuese për brezin e ri, ndërsa tifozeria e ka hajmalinë kryesore.

Në rafshin individual ka realizuar 700 gola në rang klubesh duke fituar mbi 30 trofe dhe 5 vlerësime me “Top të Artë”.

Ronaldo thotë shpesh që do të vijojë të luajë futboll deri sa fiziku t’ia lejojë, por zor se në botërorin e ardhshëm në Kanada & SHBA (2026) të jetë prezent me Portugalinë, pasi atëherë do të jetë 41 vjeç.

Përveç kësaj, e ardhmja e tij në nivel klubesh duket gjithashtu e zymtë, kjo pas trazisë që ngjalli intervista më e fundit ku shprehej kundër menaxhimit që i është bërë te Manchester United.

Gjatë verës shumë klube të mëdha refuzuan diskutimet për një angazhim të tij. Për t’u kuptuar, gijthëkush do ta donte Ronaldon në një skuadër, por kërkesat e një page të majme janë pengesë domethënëse.

Përveç kësaj, Ronaldo vjen në botëror me formë të dobët, ose siç është shprehur vetë, “me momentin më të vështirë në karrierë”.

Lionel Messi, 35 vjeç (Argjentina)

I njëjti diskutim si me Ronaldon, vlen edhe për Messin, i cili në eventin e botërorit të vitit 2026 do të jetë 39 vjeç.

I konsideruar si një nga lojtarët më të zotë të të gjitha kohërave, me 695 gola me Barcelonën dhe PSG-në, dhe një rekord prej 7 vlerësimesh me “Top të Artë”, Messi ka mundur të rrëzojë hendekun e kombëtares duke i dhënë Argjentinës një trofe “Copa America”.

Por për të arkivuar statusin e më të zotit në histori, sikurse Maradona apo Pele, atij i duhet me patjetër një Kupë Bote.

Ai ka deklaruar se Katari me shumë gjasa do të jetë botërori i fundit që do të luajë. Por duke qenë se një herë pas tërheqjes nga kombëtarja ai është rikthyer, asgjë nuk është e sigurt.

Në Katar Messi vjen me formën më të mirë të viteve të fundit. Ai ka realizuar 11 gola dhe 14 asiste në 18 ndeshje të luajtura me PSG-në, klub me të cilin vitin që shkoi e pati të vështirë ambientimin.

Robert Lewandowski, 34 vjeç (Polonia)

Lewa’ po shkon drejt turneut të dytë botëror dhe me shumë gjasa ky do të jetë i fundit për të.

Sulmuesi 34-vjeçar dështoi të realizonte qoftë dhe një gol në botërorin e shkuar, në Rusi 2018.

Por këtë vit sprovoi veten duke kaluar te Barcelona, atje ku ka shënuar 18 gola në 19 ndeshje.

Kapiteni i Polonisë ka luajtur 134 ndeshje me përfaqësuesen duke realizuar 76 herë. Padyshim një “sulmues race”.

Lewa’ shijoi momente të jashtëzakonshme me Bayern Munich, ku sezoni që e pa atë të kurorëzohej kampion europe, për shumë dashamirës, është sezoni ku do të duhej të vlerësohej me “Top të Artë”.

Manuel Neuer, 36 vjeç (Gjermani)

Nëse ka një portier, që është bërë më së shumti sinonim i tranzicionit të futbollit të shekullit XXI nga një lojë me portier statik në portë, në një lojë dinamike me portier organizator, ai është Manuel Neuer.

Kampion bote me Gjermaninë, Neuer është 10 herë kampion i Bundesligës 2 herë kampion i Evropës e më tej i botës për klube.

Spikati nën drejtimin e Guardiolës me daljet dhe lojën me këmbë. Ai do jetë 40 vjeç botërorin e ardhshëm.

Megjithëse 6 portierë të tjerë ia kanë dalë të luajnë në këtë moshë, e vështirë që Neuer të vijojë me këtë rendiment, teksa në horizont për Gjermaninë po shfaqen portierë të tjerë.

Luis Suarez & Edinson Cavani, 35 vjeç (Uruguai)

Ish-protagonisti i treshes fantastike “MSN (Messi-Suarez-Neymar)” te Barcelona, 35-vjeçari është në fund të karrierës dhe e sigurt që botërorin e ardhshëm nuk do ta shohim në fushë.

“El Pistolero” Suarez u kthye këtë sezon te ish-klubi i fëmijërisë, Nacional, në Uruguai, ku fitoi titullin kampion.

Një sulmues i jashtëzakonshëm për agresivitetin dhe saktësinë para portës, Suarez, do të mbahet mend gjatë në historitë e botërorit për atë top të prekur me dorë ndaj Ganës në Botërorin 2010, por gjithashtu edhe për kafshimin e Giorgio Chiellinit 4 vite më vonë.

Por Uruguai ka këtë botëror një brez të tërë që luan edicionin e fundit, si portieri Fernando Muslera, mbrojtësit Diego Godin e Martin Caceres, por dhe sulmuesi Edinson “El Matador” Cavani.

Sergio Busquets, 34 vjeç (Spanja)

Shtatlrati i mesfushës, Sergio Busquets, është një nga emblemat e tiki-takës së 20 viteve të fundit, ai që përcjell frymën e Barcelonës te Spanja duke qenë gjithmonë prezent në organizim dhe fyrnizimin e sulmit me topa.

Busquets është ndër të vetmit në Spanjën aktuale, që ka qenë pjesë e skuadrës fituese të botërorit të vitit 2010. Ai është fitues i çdo trofeu të mundshëm, botëror për klube dhe kombëtare, evropian, Champions League, kampionate etj.

Me rreth 140 ndeshje me Spanjën, kapiteni ka një moshë 34 vjeçare dhe me problemet fizike e bëjnë disi të pamundur që ai të jetë në botërorin e ardhshëm.

Neymar, 30 vjeç (Brazil)

Sulmuesi Neymar është më i riu në moshë për sa i përket kësaj liste, por ai e ka thënë vetë që “ky mund të jetë botërori i tij i fundit”.

I kapluar shpesh nga lëndime serioze, “O Ney” konsiderohet si futbollisti më i talentuar i gjeneratës së tij. I magjishëm, por me këmbë të brishta.

Me 75 gola të shënuar me Brazilin, ai ka treguar të jetë frymëzues për skuadrën sidomos në arritje domethënëse si medaljet olimpike, apo Kupa e Konfederatave.

Shumë ekspertë mendojnë se kulmi i karrierës së tij “shkoi dëm” me kalimin në një ligë mesatare si Ligue 1 në Francë, por sidoqoftë magjitë e Neymarit nuk duhen lënë pa shijuar nga Katari.

*Tibo News.