Firmoset marrëveshja, çfarë nënkupton zona e lirë ekonomike

Tirana do jetë bashkia e parë që do ketë një zonë të lirë ekonomike, sipas projektit pritet të gjenerojë deri në 7 mijë vende pune.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se hapësira mes Kasharit dhe Vaqarrit ka rëndësi strategjike për të gjitha bizneset e huaja që duan të investojnë në Tiranë.

Erion Veliaj tha:

“Me të gjitha muhabetet që keni dëgjuar me sharje publike të ca personazheve që deri dje kanë drejtuar vendin dhe që Shqipëria u ka dhënë gjithçka, ne kuptojmë se kur të shkruhet historia nuk do mbahen mend marrëzitë e ditës. Në finale do mbeten veprat! Sheshi Skënderbej do të jetë aty edhe për 100 vite të tjera. TEDA është një projekt që do t’i mbetet këtij qyteti dhe do frymëzojë bashkitë e tjera që të bëjnë një zonë të lirë ekonomike. Duke qenë se po e shkelim ne të parët, do vëmë edhe sinjalistikë që, kushdo që ta shkelë pas nesh, të dijë ekzaktësisht hapat si bëhet dhe nesër të jetë një qytet tjetër që mund ta bëjë, si Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora”

Ndërkaq, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se kjo zonë përfaqëson një nismë strategjike, që duhet të shërbejë si një katalizator inovacioni, investimesh dhe zhvillimi të qëndrueshëm.

“Nëpërmjet ofrimit të infrastrukturës moderne, ku ndihmon edhe Bashkia e Tiranës, ku natyrisht do ndihmojnë edhe aktorë të tjerë të lidhur me infrastrukturën dhe proceseve të thjeshta rregullatore, të lehtësuara dhe një mjedisi të favorshëm të biznesit, do të arrihet që të kemi një pol të prodhimit dhe të zhvillimit, që do të jetë një model në rajon dhe në të gjithë vendin”.

Përmes TEDA Tirana, qeveria dhe Bashkia kanë krijuar një stacion, ku një kompani ndërkombëtare mjafton vetëm të paraqitet tek enti zbatues, për t’u bërë pjesë e saj.