FBI kontrollon shtëpinë e Presidentit Biden në Delaware

FBI ka nisur kontrollin në shtëpinë e presidentit Joe Biden në Rehoboth, Delaware si pjesë e një hetimi për dokumente të klasifikuara. Lajmin e ka bërë me dije avokati i presidentit duke shtuar se kërkimi ishte planifikuar, me mbështetjen e plotë të presidentit.

CBS ka raportuar se kontrolli ka të bëjë me një hetim më të gjerë në trajtimin e dokumenteve të klasifikuara.

FBI nuk ka komentuar mbi aksionin e fundit. Meqë ishte konsensuale, nuk u kërkua asnjë urdhër kërkimi.

Avokati i Biden, Bob Bauer, tha se kontrolli u krye “pa njoftim paraprak publik” në interes të “sigurisë operacionale dhe integritetit”.

Kërkimi është i fundit në një seri të kryera në vende të ndryshme, pas zbulimit të dokumenteve të klasifikuara në Qendrën Penn Biden në Uashington DC në nëntor. Kjo nuk u bë publike në atë kohë.

Dokumentet shtesë u zbuluan në një shtëpi tjetër të Biden në Wilmington, Delaware, në kontrollet e mëvonshme të kryera në dhjetor dhe janar.

Numri i saktë i të dhënave të klasifikuara të gjetura mbetet i paqartë megjithëse të paktën dhjetëra u zbuluan gjatë kërkimeve të janarit.

Biden ka thënë se ekipi i tij bëri “atë që duhej të bënte” dhe po “bashkëpunonte plotësisht” me hetimin.

Njoftimi i kërkimit vjen një ditë pasi këshilltari special Robert Hur filloi zyrtarisht detyrën e tij duke mbikëqyrur hetimin mbi dokumentet.

Pasi grupi fillestar i dokumenteve u zbulua në nëntor, avokatët e Biden njoftuan menjëherë zyrën e këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë më 2 nëntor. Dosjet iu dorëzuan Arkivit Kombëtar të nesërmen.

Për zbulimet e mëvonshme u njoftuan edhe zyrtarët e departamentit të drejtësisë.

Richard Sauber, këshilltar special i presidentit i përshkroi dokumentet e zbuluara në nëntor si “një numër i vogël” dokumentesh.

*Tibo News