‘Europa e Ballkanit’. Gjithçka duhet të dini për Samitin e Procesit të Berlinit që mbahet tek ‘Piramida’

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka postuar disa foto nga xhiro nëpër kryeqytet me biçikletë, si një mesazh për qytetarët që kanë makina se është më mirë të përdorin biçikletën se sa automjetet.

Ky mesazh vjen më i theksuar për sot, pasi Tirana do të mirëpresë Samitin e Procesit të Berlinit.

Tirana duket se është përgatitur për këtë ngjarje të madhe, me Policinë që ka marrë disa masa:

MASAT E POLICISË DHE RRUGËT E BLLOKUARA NË KRYEQYTET:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”; Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”; Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”; Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”; Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”; Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC; Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit; Rruga “Ukraina e lirë”.

Samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet në godinën e Piramidës në Tiranë dhe si pasojë do të mbyllë edhe një pjesë të fakulteteve të universitetit.

Fakultetet i Historisë dhe Filologjisë dhe i Inxhinierisë dhe i Ekonomisë njoftuan studentët dhe stafin akademik se dita e hënë do të jetë pushim, për shkak të masave të sigurisë të vendosur nga policia e shtetit.

Ndërsa bëhet e ditur se orët e mësimit do të zëvendësohen në një ditë tjetër.

Veç shkollës Gustav Majer, mësimi në shkollat 9-vjeçare apo gjimnaze nuk do të pezullohet.

Perimetri i sigurisë i shpallur nga plani i masave të policisë nuk prek asnjë shkollë, që njihen si zona të kuqe ku nuk lejohet as kalimi i këmbësorëve.

Për shkollat e tjera që janë pjesë e zonave ku nuk lejohet qarkullimi i automjeteve, prindërit duhet të shfrytëzojnë rrugën alternative të lëvizjes. Për mbarëvajtjen e samitit, policia ka angazhuar rreth 2 mijë forca policore.

Në një postim herët në mëngjes në rrjetet sociale, Rama shkruan se sot Shqipëria është Europa e Ballkanit.

“Me tryezën e Samitit të parë të Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE-së, në Piramidën e Diktatorit në Tiranë, ku do të ulen armiqtë e tij të betuar, të cilët e shohin me respekt e me vlerësim gjithnjë e më të lartë Shqipërinë, që sot është gdhirë si Europa e Ballkanit, ju uroj një javë të mbarë”.

AXHENDA e SAMITIT

Në orën 11:00 do të jetë pritja e liderëve.

Në orën 11:30 fjala hapëse.

Në orën 12:00 nis sesioni i punës, integrimi i rajonit në tregun e përbashkët europian dhe përmirësimi i konvergjencës me BE.

Në orën 13:30 fotografia familjare.

Në orën 15:30 nis sesioni i dytë i punës, mbështetja e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital në Ballkanin Perëndimor.

Në orën 16:45 do të përurohet Kolegji i Europës në Tiranë.

Në orën 17:30 do të nënshkruhet marrëveshja rajonale për njohje reciproke të kualifikimit profesional.

Në orën 17:45 konferenca e përbashkët për shtyp.

Në orën 18:30 ceremonia e inaugurimit të Piramidës.

Ky samit është i një rëndësie të veçantë pasi për herë të parë zhvillohet jashtë kufijve të BE-së dhe mbahet në Shqipëri.