Erion Veliaj për akuzat ndaj drejtorëve të Bashkisë: Nuk e kam shkelur kurrë ligjin!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj doli në një deklaratë për mediat ku foli lidhur me arrestimin e drejtorëve dhe ish drejtorëve të bashkisë të Tiranës.

Kryebashkiaku tha se fakti që ka akuza të ngritura ndaj disa ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë, nuk e bën atë që të ndjehet mirë. Ai shtoi se akuzat duhet të provohen në gjykatë. Ndërkohë që theksoi se nuk e ka shkelur kurrë ligjin, dhe as besimin e qytetarëve të Tiranës që i kanë dhënë tre herë mandatin. Veliaj bëri thrirje që drejtësia të bëjë punën e vet.

“Tani, padiskutim që mua nuk ka sesi të më vijë mirë, nëse akuzat e ngritura ndaj disa ish-drejtorëve e drejtorëve të Bashkisë Tiranës provohen të vërteta në gjykatë.  Përkundrazi, më vjen tmerrësisht keq, që krahas angazhimit në plot punë të mira të përbashkëta, disa zyrtarë të rëndësishëm të kësaj bashkie të jenë angazhuar në punë të pista për përfitime personale. Por, në pritje të fjalës së fundit të drejtësisë për ta, unë vetë nuk kam çfarë pres për t’ju parë të gjithëve në sy dhe për t’ju thënë se asnjë përfitim i paligjshëm personal, nuk më ka lidhur kurrë as me ta dhe as me askënd tjetër në detyrën time si shërbëtori numër një i Tiranës sonë. Gabime mund të kem bërë edhe unë plot! S’kam asnjë dyshim! Po s’e kam bërë kurrë fajin që ta përdor firmën time, fjalën time, ndikimin tim, për çfarëdo lloj përfitimi personal të paligjshëm. Uroj që këtë ta vërtetojnë deri në fund edhe hetimet për inceneratorin e Tiranës, me të cilin e vetmja gjë që më ka lidhur ka qenë pastrimi i këtij qyteti, tanimë shembullor në pastërti, edhe hetimet për këtë çështjen e hapur së fundmi nga drejtësia.  Unë i trembem shkeljes së normave me të cilat jam edukuar që fëmijë në këtë qytet dhe e kam frikë ligjin përpara se sa të bëhem një subjekt i ndëshkimit të tij, kështu që nuk e kam shkelur kurrë as ligjin, as besimin e atyre që më kanë dhënë tre herë mandatin për të drejtuar Tiranën. Prandaj, drejtësia të vazhdojë punën e saj, s’ka nevojë t’ia them unë se çfarë duhet të bëjë, ndërsa unë do të vazhdoj punën time me skuadrën e transformimit të Tiranës, edhe me më shumë këmbëngulje për Tiranën e për bashkëqytetarët e mi, pas kësaj ngjarjeje që nuk më bën aspak krenar. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen, kurajon dhe forcën që më jepni çdo ditë!”