
Elon Musk, një jetë prej gjeniu
I shpallur personaliteti i vitit nga revista Times për vitin 2021, Elon Musk është kthyer në një nga njerëzit më të fuqishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke tërhequr pas tij vlerësime dhe kritika.
Elon u lind në vitin 1971 në Afrikën e Jugut. Familja e tij emigroi fillimisht në Kanada. Kur ishte 17 vjeç fitoi një bursë studimi për ekonomi dhe fizikë në Filadelfia të Shteteve të Bashkuara më pas një bursë doktorale për në Stanford.
I cilësuar si gjenial në studime, ai nuk e mbylli doktoraturën, por u shpërngul në Silicon Valley dhe në vitin 1995 bashkë me vëllain Kimbal hapën kompaninë e programeve kompjuterike Zip1, e cila 4 vite më vonë u ble nga Compaq për 300 milionë dollarë.
Më tej themeloi “X.Com” e cila u shkri me PayPal duke formuar ndër të parat kompani që siguronin pagesat online. E gjitha u ble në vitin 2002 nga “ebay” për 1.5 miliardë dollarë.
Vitet që pasuan, Elon Musk, iu përkushtua ëndrrës së tij për t’iu drejtuar hapësirës, për këtë krijoi kompaninë hapësinore SpaceX me të cilën ka realizuar disa objektiva mbresëlënëse duke siguruar kontrata afatgjata bashkëpunimi me NASA-n për zhvillimin e anijeve kozmike.
Objektivi i tij është zhvillimi i një qyteti autonom në Mars.
Elon ka kërkuar të revolucionarizojë edhe industrinë e automobilizmit duke prodhuar prej vitit 2008 makina elektrike të përballueshme për konsumatorët. Kompania e tij, Tesla, ka dominuar dhjetëvjeçarin e fundit tregun amerikan të makinave elektrike.
Revista Forbes e cilësoi në vitin 2022 si njeriun më të pasur në botë, por në rrjetet sociale Musk ka krijuar imazhin e një provokuesi, spekulator për tregjet ekonomike dhe po ashtu për politikën globale.
Komentet e tij kanë nxitur shpesh reagime të ashpra. Lajmi se ai do të blinte Twitterin nxiti entuziazëm dhe njëkohësisht shqetësime.
Musk njihet për interesimin e tij te teknologjia dhe inteligjenca artificiale. Për këtë ai ka ngritur kompaninë Neuralink e cila është e fokusuar te ndërlidhja sistemeve kompjuterike me neurologjinë.
Përveç kësaj Musk ka themeluar edhe kompaninë “Boring” e cila ka si objektiv transportin e përshpejtuar publik përmes tubacioneve nëntokësore.
Musk, i cili ka vuajtur nga sindroma asperger, një formë kjo e autizmit, është baba i tetë fëmijëve, një prej të cilëve u nda nga jeta pas 10 muajsh.
*Përkthyer dhe përshtatur nga AFP/TIBO-News.