AlbanianEnglish

Elon Musk “jep mend” si zgjidhet konflikti Kinë-Tajvan

Miliarderi Elon Musk vijon të polemizojë me sugjerimet e tij për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.

Pas paralelizimeve mes luftës në Ukrainë me atë në Kosovë, Musk ka vijuar me përplasjet Kinë-Tajvan.

Ai sugjeron si zgjidhje dhënien e njëfarë kontrolli Pekinit me “zona të veçanta administrative” të ngjashme me Hong Kongun, sugjerim të cilin e dha në një intervistë për Financial Times.

Musk po i përgjigjej pyetjeve në lidhje me Kinën, ku kompania e tij e makinave elektrike Tesla operon një fabrikë të madhe në Shangai.

Njeriu më i pasur në botë tha gjithashtu se ai besonte se konflikti mbi Tajvanin ishte i pashmangshëm dhe paralajmëroi për ndikimin e mundshëm në ekonominë globale.

Pekini është zotuar prej kohësh të vendosë Tajvanin nën kontrolli dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës.

Kina aktualisht e sheh ishullin e sunduar në mënyrë demokratike si pjesë të provincave të saj edhe pse Tajvani, me një popullsi prej 23 milionë banorësh, e kundërshton fuqishëm këtë pretendim.

Në të kaluarën, Kina i ka ofruar Tajvanit një model autonomie “një vend, dy sisteme”, të ngjashëm me Hong Kongun, por ai është refuzuar nga të gjitha partitë kryesore politike dhe nuk ka mbështetje publike.

Kur u pyet për komentet e Musk, një zëdhënës i ministrisë së jashtme kineze tha se Tajvani ishte një “çështje e brendshme”.

Duke shtuar se Pekini do të vazhdojë t’i përmbahet parimit të ribashkimit paqësor duke “shtypur” separatizmin tajvanez. Ministria e Jashtme e Tajvanit nuk pranoi të komentojë për Reuters.

Vërejtjet e fundit gjeopolitike të biznesmenit vijnë disa ditë pasi ai propozoi të ashtuquajturin “plan paqeje” nëpërmjet një sondazhi në Twitter për luftën në Ukrainë.

Një nga idetë e tij përfshinte dhënien e përhershme të territorit Rusisë.

Musk u zotua të mbështesë Ukrainën në fillim të këtij viti dhe ofroi shërbimin e tij të internetit Starlink për Kievin, i cili ka qenë jetik për të siguruar komunikime të sigurta ushtarake.

Musk tha se Kina ka kërkuar garanci se ai nuk do të ofronte shërbimin Starlink në Tajvan.

*Tibo News

You don't have permission to register