
Edhe këmbësorët burim për aksidente në Tiranë
Të ecësh në vija të bardha edhe kur semafori është i kuq si në këtë rast, është thuajse e zakonshme rrugëve të Tiranës. Nuk mungojnë as rastet kur këmbësorët futen në mes të rrugës për të kaluar nga njëra anë në tjetrën. Policia Rrugore e has këtë problematikë kryesisht në zonat urbane me dendësi të shtuar të popullsisë.
Ekspertët e lidhin këtë situatë me mosnjohjen e rregullave të qarkullimit rrugor, prandaj dhe sugjerojnë një lëndë të posaçme në shkolla. Por përveç rasteve të papërgjegjshmërisë, disa qytetarët thonë se shpesh detyrohen të rrezikojnë sepse në disa zona mungojnë vendkalimet për këmbësorët, ndërsa rezerva kanë edhe për drejtuesit e automjeteve që jo gjithmonë i respektojnë.
Bashkia thotë se po i jep prioritet këtij problemi në zonat ku rrugët po rehabilitohen. Për shmangien e kalimeve në mes të rrugës, bashkia thotë se po punon për vendosjen e barrierave bllokuese. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, këtë Shtator në afro 12% të rasteve, aksidentet rrugore kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit.