Deshifrimi i Z-së, simbolit misterioz që po përdoret nga ushtria ruse në Ukrainë

Një simbol i ri lufte është shfaqur në Ukrainë gjatë pushtimit rus. Një shkronjë e bardhë “Z”, e cila zakonisht është e stilizuar si bojë peneli të trashë.

Ajo është shfaqur kudo në Ukrainë, në tabela rrugësh, bluza protestuesish pro-rusë, piktura në mure, e deri në tanke, makina apo ushtarë rusë.

Në javët e fundit, “Z”-ja është kthyer nga një shenjë ushtarake në një simbol të fuqishëm të mbështetjes për pushtimin rus të Ukrainës.

Simboli u pa gjerësisht për herë të parë në tanket ruse më 22 shkurt, në zonat pranë rajoneve të Donbasit, por gazeta The Indipendent thotë se ky simbol qe përdorur edhe në vitin 2014 gjatë aneksimit të Krimesë.

Komentues të shumtë në rrjetet sociale spekuluan se mënyrat e kufizimit me rreth, trekëndësh apo katrorë të kësaj shkronje ishte një lloj komunikimi për lëvizjet e këmbësorisë.

Disa e interpretuan si shkurtim të “Za pobedy” që rusisht do të thotë “fitore” apo “Zapad” që do të thotë “Perëndim” dhe nënkuptohej nga fakti se pushtimi rus drejtohej për nga perëndimi.

Kuptimi i simbolit “Z” ende nuk është konfirmuar përfundimisht nga burimet ushtarake ruse. Por dihet se ai po përdoret hapur nga rusët gjatë pushtimit në Ukrainë.

Pavarësisht se shkronja “Z” nuk është në alfabetin cirilik rus, ajo duket se ka zënë vend në narrativën që po përdoret mes shoqërisë ruse për përkrahjen e luftës.

Makina të shumta janë vënë re nëpër Rusi me shkronjën “Z” përsipër, po ashtu edhe biznese të ndryshme po e përdorin këtë simbol.

Më 4 mars, një turmë protestuesish serbë të ekstremit të djathtë pro-rusë që marshuan në Beograd tundnin banderola dhe pankarta me shkronjën “Z”.

Në mënyrë të ngjashme, një grup protestuesish nacionalistë rusë në Leningrad u filmuan të veshur me kapuçë me mbishkrimin e shkronjës “Z” dhe fjalët “Ne nuk i lëshojmë tanët!”. Është e paqartë se kur është marrë video, por ajo u shfaq në rrjetet sociale në javën e parë të marsit dhe ishte goxha virale.

Slogani bëri jehonë pretendimeve të rreme të propagandës ruse se pushtimi ka për qëllim “çlirimin” dhe “de-nazifikimin” e Ukrainës.

Të dielën, një gjimnast rus u shfaq gjithashtu në ceremoninë e medaljes me një shkronjë “Z” të ngjitur në uniformën e tij.

Në Doha, gjimnasti Ivan Kuliak bëri të flitej më tepër për shkronjën se sa për arritjen e tij sportive. Ai doli i treti, pas ukrainasit Illia Kovtun, i cili doli i pari.

Por simboli tërhoqi goxha vëmendjen, aq sa Federata Ndërkombëtare e Gjimnastikës ka bërë thirrje për hetime.

Figurat pro-Putinit gjithashtu e kanë reklamuar simbolin. Maria Butina, një ish-e dënuar për spiunazh, aktualisht anëtare e Dumës Shtetërore Ruse, u pa në një video duke hequr xhaketën e saj dhe duke vizatuar një shkronjë “Z”.

Përveç luftës me armë në Ukrainë, një luftë simbolikash dhe propagande po zhvillohet anë e mbanë globit, dhe simbolika e “Z”-së mbetet më e mistershmja.