Dëmshpërblim për miliona përdorues të iPhone

Miliona përdorues të iPhone mund të kenë të drejtë për të marrë dëmshpërblim, pas publikimit të një pretendimi ligjor që akuzon Apple se ka ngadalësuar në fshehtësi performancën e telefonave të vjetër.

 

Justin Gutmann, një ekspert i mbrojtjes së konsumatorit, pretendon se kompania i mashtronte përdoruesit se do të përmirësonte performancën, por në fakt, i ngadalësonte telefonat.

Ai kërkon dëmshpërblim prej afro 945 milionë dollarë për deri në 25 milionë përdorues të iPhone në Mbretërinë e Bashkuar.

 

Apple thotë se “asnjëherë” nuk e ka ngadalësuar qëllimisht performancën e produkteve.

 

Gutmann thotë se Apple prezantoi opsionin e menaxhimit të baterisë së telefonit në janar të vitit 2017 të vendosur në përditësimin e softuerit.

Ai thekson se informacioni në lidhje me këtë opsion të ri nuk ishte vendosur në përshkrimin e përditësimit të softuerit dhe kompania nuk arriti të sqaronte se pse pajisjet po ngadalësoheshin.

 

“Në vend që të bënte gjënë e ndershme dhe ligjore për klientët e tyre dhe të ofronte një zëvendësim, shërbim riparimi ose kompensim falas, Apple mashtroi njerëzit duke vendosur një opsion në përditësimet e softuerit i cili ngadalësoi pajisjet deri në 58%.”

 

Modelet që thuhet se janë prekur janë: iPhone 6, 6 Plus, 6S, 6S Plus, SE, 7, 7 Plus, 8, 8 Plus dhe iPhone X.

Kritikët thonë se përditësimi i shtyu njerëzit të blinin pajisje më të reja pasi telefonat e tyre të vjetër u ngadalësuan.

Firmat e teknologjisë thonë se këto përditësime janë thelbësore për t’i mbajtur pajisjet e sigurta dhe për të punuar në maksimumin e tyre.

Në një deklaratë, Apple tha: “Ne kurrë nuk kemi bërë dhe nuk do të bënim kurrë asgjë për të shkurtuar qëllimisht jetën e ndonjë produkti të Apple, ose për të dëmtuar përvojën e përdoruesit.”