
Deklarata ruse: Nuk duam vetëm Donbasin, as paqe nuk kërkojmë më
Rusia deklaroi të mërkurën se objektivat e saj aktuale ushtarake në Ukrainë shkojnë përtej rajonit të Donbasit, në lindje të vendit dhe se përjashton mbajtjen e bisedimeve të paqes me Kievin.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha në një intervistë se objektivat ushtarake të Rusisë në Ukrainë nuk ishin më “vetëm” të kufizuara në lindje të vendit, një zonë e kontrolluar pjesërisht nga separatistët pro-rusë që nga viti 2014.
“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Donetsk dhe Lugansk, por edhe për rajonin Kherson, rajonin e Zaporizhia dhe territore të tjera,” tha ministri i jashtëm rus për mediat shtetërore.
Homologu i tij ukrainas, Dmytro Kuleba, u përgjigj se “rrëfimi i ministrit të jashtëm rus të ëndrrës së tij për të kapur më shumë tokë ukrainase tregon se Rusia e refuzon diplomacinë dhe përqendrohet te lufta dhe terrori”.
Pas komenteve të Lavrov, Kuleba u bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të “forcojnë sanksionet kundër Rusisë dhe të përshpejtojnë dërgesat e armëve në Ukrainë”.
Këto deklarata vijnë pasi Rusia bëri përparime në Ukrainën lindore në javët e fundit, duke marrë Severodonetsk dhe Lyssytchansk, të cilat i hapën rrugën asaj që të përpiqet të përparojë drejt qyteteve Kramatorsk dhe Sloviansk, më në perëndim.
Artileria ruse vazhdon bombardimet e saj të pamëshirshme në lindje, ku tre persona u vranë në qytetin e Kharkiv të mërkurën, sipas autoriteteve lokale.
“Midis tyre është një djalë 13-vjeçar,” tha guvernatori rajonal Oleg Synegubov në një deklaratë në mediat sociale.