
Debate në Portugali për Eutanazinë. Pse presidenti kundërshton?
Parlamenti i Portugalisë është përpjekur të prezantojë për herë të tretë brenda një viti një ligj të ri që lejon eutanazinë.
Gjykata Kushtetuese e vendit dhe presidenti kanë bllokuar dy projektligje të mëparshme të miratuara nga ligjvënësit për shkak të formulimit të paqartë.
Katër projektligje të rishkruara që do të lejonin eutanazinë dhe vetëvrasjen me ndihmën e mjekut në Portugali u hodhën në votim në dhomën me 230 vende të enjten.
Propozimet u prezantuan të gjitha nga partitë e krahut të majtë, duke përfshirë Partinë Socialiste në pushtet të kryeministrit António Costa.
Ligji do të lejonte një mjek të administrojë drejtpërdrejt injeksionet fatale te një pacient, ose një pacient vetë mund ta injektojë ilaçin vdekjeprurës nën mbikëqyrjen mjekësore.
Presidenti Marcelo Rebelo de Sousa ka gjasa të bllokojë edhe një herë legjislacionin ose ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese për vetting.
Në mars të vitit 2021, gjykata e lartë e Portugalisë tha se formulimi i një projektligji të propozuar që legalizon eutanazinë ishte shumë “i pasaktë”.
Rebelo de Sousa më pas vuri veton ndaj një projektligji të dytë të sanksionuar nga parlamenti nëntorin e kaluar.
Presidenti tha se nevojiteshin sqarime të mëtejshme nëse ligji i propozuar do të zbatohej vetëm për sëmundjet e pashërueshme ose nëse ai mund të shtrihej në ndonjë sëmundje fatale ose të rëndë.
Asnjë nga katër projektligjet e reja në parlament nuk adreson shqetësimet specifike të Rebelo de Sousa-s dhe në vend të kësaj i referohet “një situatë vuajtjeje të patolerueshme, me një dëmtim përfundimtar ose një sëmundje të rëndë dhe të pashërueshme”.
*Tibo News