
“Dea Film Festival” vjen me edicionin e tij të nëntë
Mbrëmjen e 23 qershorit u bë hapja e edicionit të 9-të të “Dea Film Festival”, në amfiteatrin e Universitetit të Arteve.
Nga kjo datë do të bëhet ekranizimi i 39 filmave nga 29 vende të botës, për 5 ditë radhazi.
Kryefjala e festivalit 9-vjeçar, kësaj here është humanizmi, ndërkohë që kineastët synojnë të rikthejnë publikun tek kinemaja.
Kinemaja jonë prezantimin do ta ketë me filmin e Jonid Jorgjit, “Dy luanë drejt Vencias” dhe ditën e enjte do të nisë me një bashkëprodhim boshnjako–malalzezo-serb.
Si fillim u bë pritja e mirëseardhjes për miqtë e festivalit, ku nuk munguan personazhe të njohur për publikun dhe kinematografinë.
Ditën e hapjes së festivalit u mor dhe një lajm i trishtë për humbjen e një nga mikeshat e DEA-s.
Vjosa Berisha, producente e njohur dhe drejtore e Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës, Prifest, humbi betejën disa vjeçare me kancerin.
Para nisjes së festivalit u mbajt një minut heshtje për intelektualen e angazhuar, producenten e përkushtuar dhe gruan kurajoze që nuk e humbi optimizmin dhe buzëqeshjen as në ditën e fundit.
Edmond Topi, drejtor i këtij festivali tregoi të rejat që vinin në këtë edicion të nëntë.
“Risi e këtij viti është programi i festivalit, që është më i mirë se vitet e kaluara. Cine-Ko-ja që është kinemaja e Kosovës dhe shorteu që ne kemi organizuar për të sjellë më tepër spektatorë dhe audiencë në kinema”- u shpreh ai.
Fazat e festivalit kanë qenë me një interes të jashtëzakonshëm kur numri i aplikimeve ka qenë jashtëzakonisht i lartë, në seksionin e filmave pa dyshim ka patur edhe kryesues.
“Seksioni i filmit të shkurtër ka patur më shumë interes në aplikime, më shumë se 1000” – u shpreh drejtori i festivalit.
Distanca e krijuar ndër vite mes publikut dhe kinemasë i ka shtyrë organizatorët të bëjnë aktivitete të tilla për “të thyer akullin”
“Nuk shoh ndonjë dëshirë të publikut për të parë filma, qëllimi i festivalit është ky, që t’i rikthejë publikut dëshirën për të parë filma. Deri tani se kemi, por kjo nuk bëhet me një festival. Kjo ka nevojë për një bashkërëndesë shumë më të, ka nevojë për një pakt mbarëkombëtar, kulturor etj. Janë tema të politikave kulturore që ne nuk i kemi”- shtoi ndër të tjera Edmond Topi.
Padyshim që të krijosh festivale të tilla, në këto përmasa është e vështirë edhe për organizatorët të cilët shpesh gjendet mes dilemave.
“Deri një ditë përpara thotë që nuk e bëj më, pastaj të nesërmen thotë është mrekulli”
Ky festival nisjen e ka patur para 9-vitesh, në një destinacion që nuk është Tirana, tani i është drejtuar kryeqytetit për disa arsye.
“Ne e kemi filluar festivalin në Sarandë, ishte idea për ta bërë aty nga bukuria dhe shumë arsye të tjera. Për shumë arsye, pas vitit të pestë gjykoj që Saranda u ezaurua, interesi ishte i tillë dhe ne vendosëm ta kthenim në Tiranë dhe besoj që nuk kemi gabuar”-tregoi drejtori Edmond Topi.
Festivali është mbështetur nga Bashkia Tiranë, dy ministritë e Kulturës, Kosovë dhe Shqipëri, Universiteti i Arteve, Teatri Kombëtar Eksperimental dhe nga dashamirës të tjerë të kinematografisë.