
Çmimet e ushqimeve, familjet shqiptare do të paguajnë 13 mln euro më shumë
Një familje shqiptare, me mesatarisht 3.6 persona shpenzon çdo muaj 83.4 mijë lekë për të plotësuar nevojat e saj për ushqime, pije, drita, qira, ujë, veshje, shëndet, telekomunikacion, argëtim, kafe, dreka etj. Si në asnjë vend tjetër të Europës, rreth 42% e kësaj shume shkon për blerjen e ushqimeve dhe pijeve jo-alkolike. Në vlerë, sipas INSTAT, një familje shpenzonte mesatarisht rreth 35 mijë lekë në muaj për Ushqim dhe pije jo-alkolike, me të dhënat që i referohen Anketës së Buxhetit të Familjeve për vitin 2020. Më inflacionin e produkteve ushqimore që ishte rreth 6% në shkurt 2022 , një familje duhet të shpenzojë të paktën edhe 2 mijë lekë në muaj për të blerë të njëjtën sasi produktesh. Për 769 mijë familje që ka në vend, sipas të dhënave të INSTAT, shpenzimi mujor vetëm për ushqime pritet të jetë të paktën 1.5 miliardë lekë, ose rreth 13 milionë euro më shumë përgjatë marsit.
Sipas qarqeve, familjet e Vlorës shpenzojnë më shumë për ushqime, me 49.1% të totalit, e ndjekur nga Dibra (48.2%) dhe Elbasani (48.1%) dhe më pak Korça (39%) dhe Tirana (36.5%).
Çmimet e produkteve ushqimore u rritën ndjeshëm në mars, pas problemeve globale që shkaktoi sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës. 30 artikujt kryesore të shportës së mallrave ku përfshihen nafta dhe gazi u shiten 20 për qind me shtrenjtë se në janarin e këtij viti.